Gjatë gjithë muajit tetor, në kuadër të Muajit Rozë, mamografia mobile do të ofrojë shërbime për qytetaret në komuna të ndryshme të Kosovës, nga Dragashi deri në Leposaviq dhe nga Deçani deri në Kamenicë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur kalendarin e vizitave të mamografisë mobile nëpër komunat e vendit.
Të lidhura
None found
Sipas orarit të publikuar, shërbimi do të jetë më 2 tetor në Novobërdë, më 5 tetor në Shtërpcë, më 6 tetor në Kamenicë, më 8 tetor në Partesh, më 9 tetor në Mamushë dhe më 10 tetor në Deçan.
Më 12 dhe 13 tetor, mamografia mobile do të qëndrojë në Junik, ndërsa më 14 tetor do të jetë në Dragash dhe më 15 tetor në Ranillugë.
Qytetaret e Mitrovicës së Veriut do të kenë qasje në këtë shërbim më 16 tetor. Në Han të Elezit mamografia mobile do të jetë më 19 dhe 20 tetor, në Zveçan më 21 tetor, në Kllokot më 22 tetor dhe në Leposaviq më 23 tetor.
Kalendari vijon më 26 tetor në Zubin Potok, më 27 dhe 28 tetor në Has, më 29 tetor në Drenas dhe më 30 tetor në Suharekë.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetareve: “Shikoni kalendarin dhe bëjeni kontrollën me kohë!”.
“Kontrollohu, për veten, për jetën!”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ministria.
