Një biznes privat në qytetin e Peshkopisë është bërë objekt i një kërcënimi serioz, pasi pronarit të subjektit i është kërkuar një shumë prej 50 milionë lekësh, me paralajmërimin se nëse paratë nuk do të paguheshin, biznesi do të hidhej në erë.
Sipas të dhënave paraprake, kërcënimi i është dërguar pronarit në një kuti picash, brenda së cilës ndodhej kërkesa për pagesën e shumës së parave, së bashku me disa materiale që dyshohet se mund të përbënin një pajisje artizanale të ngjashme me eksploziv.
Pas konstatimit të pakos, forcat e Policisë kanë rrethuar zonën në dalje të Peshkopisë, duke vendosur një perimetër sigurie. Zona është mbajtur nën kontroll për rreth tre orë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe specialistët e çminimit dhe neutralizimit të lëndëve eksplozive nga Tirana, të cilët kanë marrë masa të tjera sigurie për verifikimin dhe neutralizimin e materialeve të dyshimta.
Për shkak të situatës, janë mbyllur edhe subjektet përreth zonës së karburantit, ndërsa qarkullimi i automjeteve është devijuar dhe vijon përmes unazës së Peshkopisë.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar disa persona, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të kërcënimit.
Pritet konfirmimi zyrtar nga Policia e Shtetit për natyrën e materialeve të gjetura dhe detaje të tjera lidhur me ngjarjen.


