Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët rikthejnë në Pazarin e Gjirokastrës pasurinë e trashëgimisë kulturore shqiptare

Shkruar nga Newsbomb

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Nga Rezarta Gozhita, autore dhe koordinatore e festivalit

Ritet popullore janë ndër vlerat më të rëndësishme dhe më origjinale të trashëgimisë kulturore shqiptare. Të përcjella brez pas brezi, ato ruhen ende në festa, ceremoni dhe ngjarje familjare e publike, edhe pse jo rrallë mbeten jashtë vëmendjes dhe kalendarëve të veprimtarive kulturore lokale.

Në përpjekje për t’i evidentuar, ruajtur dhe rijetëzuar këto vlera të veçanta të folklorit, Qendra Kulturore Mediatike Antigonea (QKMA) organizoi më 29 shtator, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Edicionin e 7-të të Festivalit të Riteve. Për herë të parë, festivali u zhvillua në zemër të Gjirokastrës, në Pazarin historik të qytetit, duke e afruar këtë veprimtari me turistët dhe vizitorët që në ditët e para të vjeshtës mbushin rrugët me kalldrëm të qytetit të gurtë.

Edicionet e mëparshme ishin zhvilluar në mjediset e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Zhvendosja në Gjirokastër i dha festivalit një tjetër dimension: ai u kthye në një festë të vërtetë lokale, në një prej hapësirave më të frekuentuara nga turistët vendas e të huaj.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Në këtë edicion morën pjesë 10 grupe folklorike, me rreth 120 bartës dhe interpretues të riteve tradicionale. Koncerti u ndoq nga qindra banorë dhe një numër i madh turistësh, të cilët iu bashkuan atmosferës së krijuar në Pazarin e Gjirokastrës.

Një grup turistësh nga Spanja, pasi ndoqi interpretimet, shprehu befasinë dhe vlerësimin për mënyrën se si këto tradita ruhen dhe përcillen. Ata veçuan seriozitetin me të cilin artistët popullorë ruajnë autenticitetin e riteve dhe mënyrën e interpretimit të tyre.

Sipas ideatorit dhe drejtorit të Festivalit të Riteve, Engjëll Serjani, kjo veprimtari e veçantë në llojin e saj u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në partneritet me Bashkinë dhe Këshillin e Qarkut Gjirokastër. Festivali është përfshirë edhe në kalendarët vjetorë të veprimtarive të institucioneve publike, të adresuara për grupet turistike dhe vizitorët që udhëtojnë në Shqipëri.

Një skenë e hapur në zemër të Pazarit

Sheshi përpara memorialit të përkujtimit të pranimit të Gjirokastrës në UNESCO ishte mbushur me spektatorë shumë kohë përpara nisjes së koncertit. Përpara interpretimit të grupeve, publiku ndoqi një paradë të kostumeve tradicionale, valleve rituale dhe veglave të vjetra muzikore popullore.

Pazari i Gjirokastrës, pjesë e Zonës Historike të qytetit dhe një prej hapësirave më të frekuentuara nga turistët, u shndërrua kështu në një skenë të hapur të trashëgimisë shpirtërore e materiale.

Përtej interpretimit të riteve, zhvillimi i festivalit në këtë hapësirë synoi të lidhë më ngushtë trashëgiminë kulturore me jetën e qytetit, arkitekturën, historinë dhe turizmin kulturor.

Nga polifonia te ritet e dasmës dhe ritualet e vjetra

Ndër momentet më të duartrokitura të festivalit ishin interpretimet e familjes polifonike Çenko – Roland, Kastriot dhe Alvaro Çenko – me këngën “Kush ma tregon rrugën, të gjej Perëndinë”, si dhe logatja rituale “Tanë moj Tanë”, e interpretuar nga “Mjeshtri i Madh” Roland Çenko.

Vëmendjen e publikut e tërhoqën edhe motër e vëlla, Enid dhe Eneda Nika, përkatësisht 5 dhe 9 vjeç, të ardhur nga Ulqini i Malit të Zi.

Ansambli “Lunxhëria”, i drejtuar nga eksperti i trashëgimisë kulturore të trevës së Lunxhërisë, Koço Vasili, solli këngë dhe valle rituale që lidhen me traditën e së dielës së “qërimit të orizit” në dasma: “Sonte qërojmë rizin-o”, “Kam një javë që të ormis”, “Si më nis, ku më dërgon” dhe “Prina, prina moj nuse”.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Në festival mori pjesë edhe Ansambli Folklorik “Visaret e Kërrabës”, pjesëmarrës në të gjitha edicionet e këtij festivali. Nën drejtimin artistik të imamit Ilir Selba, grupi solli katër rite dhe këngë rituale, ndër të cilat “Riti i synetlisë”, vallja e gotave dhe vallja rituale dyshe e Kërrabës.

Një atmosferë të veçantë krijoi grupi i vajzave dhe djemve të Ansamblit Folklorik “Shpresa” të Veleshtës, nga zona e Strugës në Maqedoninë e Veriut, me drejtues Blini Kica dhe koordinatore Nexhibije Istrevi.

Interpretimi i tyre solli në skenë energjinë e një brezi të ri që synon jo vetëm ta ruajë trashëgiminë, por edhe ta përcjellë atë te brezat që vijnë. Publiku ndoqi me kënaqësi pjesë nga rituali “Dasma Veleshtare”, ku pasqyrohen traditat, zakonet dhe trashëgimia kulturore e Veleshtës.

Nga Bashkia Kuçovë erdhi Grupi Folklorik “Kozares”, me drejtues artistik Nerim Marra. Grupi befasoi publikun me tri rite humoristike: ritualin e bërjes së dashit kurban, ritualin e iriqit dhe ritin e kaprolles.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Për herë të parë në një skenë festivali u prezantuan edhe “Rituali i yshtjes” dhe riti i largimit të “syrit të keq”, të interpretuara nga përfaqësuesja e diasporës së ardhur nga Kanadaja, Anila Mitro, dhe artizanja e njohur e qepjes së kostumeve popullore, Eli Zhulati.

Transhumanca, nga tradita baritore në skenën e festivalit

Një prej momenteve të veçanta ishte paraqitja e transhumancës, traditës së shtegtimit sezonal të bagëtive, e cila është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s më 6 dhjetor 2023.

Kjo traditë u soll në festival nga Ansambli Folklorik i Komunitetit Vllah në Bashkinë Kavajë, me drejtues artistik Todi Bali, i cili interpretoi edhe vetë në skenë.

Tingujt e sazëve tradicionale, këngët në gjuhën vllahe, lëvizjet pantomimike dhe orenditë e traditës së stanit krijuan një tablo të jetës baritore dhe të shtegtimit të tufave të deleve e dhive nga kullotat e ulëta fushore drejt kullotave malore.

Me duartrokitje u shoqëruan edhe kënga rituale “Djalë i vogël kur isha”, e kënduar nga artisti i gdhendjes në dru Ziso Musha, si dhe kënga e lashtë e djepit, interpretuar nga Vasilika Qeraca.

Publiku i priti me duartrokitje dhe të qeshura edhe vallen rituale humoristike të dashit, interpretuar nga drejtuesi artistik i grupit, Todi Buli, si dhe vallen humoristike rituale dyshe me solist Pëllumb Mara.

Pak histori dhe shumë risi

Festivali i Riteve nisi të organizohej më 30 maj 2008, në lëndinat e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Edicioni i gjashtë u zhvillua më 2 korrik 2022, në ditën e hapjes së Tunelit të Skërficës dhe inaugurimit të rrugës së re kombëtare Kardhiq–Delvinë–Sarandë.

Gjatë gjashtë edicioneve të mëparshme, në festival janë përfshirë rreth 60 grupe folklorike nga qarqe të ndryshme të vendit dhe hapësirat e banuara nga shqiptarët, me rreth 630 interpretues.

Vetëm në edicionin e gjashtë morën pjesë rreth 12 grupe dhe rreth 130 bartës e interpretues, të cilët sollën rite të lashta pagane dhe lojëra popullore nga hapësira të ndryshme shqiptare.

Edicioni i shtatë në Gjirokastër synoi promovimin e vlerave folklorike të riteve popullore të krahinave dhe zonave të ndryshme etnografike, duke kontribuar në evidentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie kulturore dhe në funksion të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Zhvillimi i festivalit në mjediset e hapura të Pazarit të Gjirokastrës i dha atij edhe një funksion tjetër: krahas promovimit të trashëgimisë shpirtërore, ai solli në vëmendje vlerat arkitekturore dhe historike të Zonës Historike të qytetit, pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur.

Objektivat dhe veprimtaritë shoqëruese

Një prej objektivave kryesore të këtij projekti kulturor është hulumtimi dhe evidentimi i riteve popullore, vlera të hershme të trashëguara brez pas brezi dhe të ruajtura ende në festat dhe ngjarjet familjare e publike të komuniteteve.

Përmes festivalit synohet të kontribuohet në studimin, evidentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie të kulturës kombëtare, si dhe në rikthimin e saj në jetën kulturore dhe turistike.

Qëllimi përfundimtar i Edicionit të 7-të ishte që festivali të ndikojë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor e folklorik në rajonin e Gjirokastrës, duke e zhvilluar këtë veprimtari në një hapësirë të frekuentuar nga turistë dhe vizitorë vendas e të huaj.

Koncerti i zhvilluar në Pazarin e Gjirokastrës ishte veprimtaria kryesore publike e festivalit. Përpara tij, grupi i punës organizoi një tryezë të rrumbullakët me ekspertë të fushës së folklorit, për përcaktimin e kritereve të pjesëmarrjes së grupeve.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve, organizatorët

Në vijim u zhvillua edhe një ekspeditë në disa bashki për përzgjedhjen e grupeve folklorike dhe repertorit të riteve që do të sillnin në skenën e festivalit.

Edicioni i 7-të i Festivalit të Riteve e mbylli kështu rrugëtimin e tij në një prej hapësirave më të njohura të Gjirokastrës, duke bashkuar në të njëjtën skenë bartës të traditave, artistë popullorë, breza të rinj, përfaqësues të diasporës dhe një publik të gjerë vendas e të huaj.

Një natë në të cilën ritet e trashëguara nga e kaluara u rikthyen në jetën e qytetit, përballë banorëve dhe vizitorëve të Gjirokastrës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese