AKTUALITET /

Kanceri i gjirit në Shqipëri/ 829 raste të reja në 2025, të prekur dhe meshkujt

Në ndarjen sipas qarqeve, Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri kanë incidencën më të lartë, ndërsa Dibra rezulton me nivelin më të ulët.

Shkruar nga Versus

Kanceri i gjirit në Shqipëri/ 829 raste të reja në 2025,

Kanceri i gjirit vijon të mbetet një prej sëmundjeve më të përhapura në vend, me 829 raste të reja të diagnostikuara te gratë gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë të njëjtit vit janë evidentuar edhe 19 raste te meshkujt.

Specialistja e ISHP-së, Ediona Kola, deklaroi se incidenca e kancerit të gjirit vijon të ketë një rritje të lehtë nga viti në vit. Sipas saj, në këtë tendencë ndikojnë plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës, por edhe rritja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimi i programeve të depistimit dhe diagnostikimit.

Ndërkohë, të dhënat tregojnë një ulje të vdekshmërisë. Në vitin 2021 regjistroheshin 18 vdekje për 100 mijë gra, ndërsa aktualisht niveli është 16 vdekje për 100 mijë gra. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 214 vdekje nga kanceri i gjirit.

Në ndarjen sipas qarqeve, Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri kanë incidencën më të lartë, ndërsa Dibra rezulton me nivelin më të ulët.

ISHP thekson se mamografia dhe shërbimet e depistimit ofrohen gjatë gjithë vitit në spitalet rajonale dhe në tri qendra në Tiranë. Për gratë në zonat jashtë qendrave urbane janë në dispozicion edhe dy mamografi lëvizëse, të cilat gjatë muajit tetor do të lëvizin në qarqe të ndryshme.

Instituti i Shëndetit Publik u bën thirrje grave që kontrollet të mos i kryejnë vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë gjithë vitit, duke u konsultuar me mjekun e familjes për faktorët e riskut dhe ekzaminimet e nevojshme.

ISHP rekomandon që gratë të kontaktojnë mjekun e familjes për të mësuar qendrën më të afërt ku ofrohet mamografia dhe datat e lëvizjes së mamografive në zonën e tyre.

Poll