POLITIKË /

Ceremonia e pritjes për ambasadorin e ri Eric Wendt, 130 të ftuar në ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Mungon Berisha

Pjesë e eventit ishin përfaqësues të politikës, zyrtarë të institucioneve shtetërore, ministra, drejtues të organeve të drejtësisë, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Shkruar nga Versus

Ceremonia e pritjes për ambasadorin e ri Eric Wendt, 130 të ftuar

Ambasada Amerikane në Tiranë ka zhvilluar pritjen e mirëseardhjes për ambasadorin Eric Wendt, në një event të organizuar në ambientet e një hoteli në zonën e ish-Bllokut, nën masa të forta sigurie.

Në pritje ishin të ftuar rreth 130 persona, mes tyre edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Pjesë e eventit ishin përfaqësues të politikës, zyrtarë të institucioneve shtetërore, ministra, drejtues të organeve të drejtësisë, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Mes të pranishmëve ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashi. Ftesë kishte marrë edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili gjithashtu mori pjesë në pritje.

Në event ishin edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, së bashku me deputetin Bledi Çuçi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.

I pranishëm ishte edhe ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili ishte ndër zyrtarët e parë që takoi ambasadorin Wendt pas mbërritjes së tij në Tiranë.

Gjatë mbrëmjes vijuan të mbërrinin edhe zyrtarë të tjerë të lartë, mes tyre ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu dhe ministrja Mirela Kumbaro.

Në listën e të ftuarve ishin edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Në pritje mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.

Ndërkohë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk ishte i pranishëm në event, pasi, siç kishte deklaruar më herët, nuk kishte marrë ftesë për pritjen./Versus.al

Poll