Kuvendi i Shqipërisë i ka kthyer përgjigje kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, lidhur me trajtimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për veprimtarinë e “KAYO” sh.a.
Përgjigjja, e siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i referohet procedurës së ndjekur për këtë kërkesë.
Në shkresë thuhet se në Konferencën e Kryetarëve, më 17 shtator 2026, u shqyrtua kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për shoqërinë “KAYO” sh.a.
Sipas Kuvendit, në këtë mbledhje nuk u arrit konsensus për elementet e komisionit, ndërsa çështja, sipas ligjit, i kalon për vendimmarrje seancës plenare.
“Megjithëse në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit konsensus për elementet e komisionit, çështja, sipas ligjit, i kalon për vendimmarrje seancës plenare”, thuhet në përgjigje.
Kuvendi sqaron gjithashtu se në Konferencën e Kryetarëve ishte dakordësuar që kërkesa të mos trajtohej në seancën e 24 shtatorit, por në seancën plenare pasuese.
Sipas shkresës, java në vijim, në zbatim të nenit 40/1 të Rregullores së Kuvendit, sipas programit dhe kalendarit të punës së Kuvendit, ishte jo e përshtatshme për veprimtarinë e deputetëve me zgjedhjet.
Në përgjigje përmendet edhe seanca e 5 tetorit 2026, e cila, sipas të njëjtit nen, është e dedikuar posaçërisht për diskutimin e problematikave të evidentuara gjatë javës së veprimtarisë me zgjedhjet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kontrolleve të ushtruara me urdhër të SPAK në vilën e biznesmenit shqiptaro-amerikan-izraelit Ron Yeffet në Pëllumbas, pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes kompanisë ‘Kayo’. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shkruar se mazhoranca po shmang diskutimin e çështjes, pasi sipas tij, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, më 17 shtator 2026, shumica parlamentare nuk dha dakordësinë për kërkesën e opozitës, për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë shtetërore “KAYO”.
Bardhi kujton gjithashtu se afati ligjor për shqyrtimin në Kuvend të çështjes përfundon më 5 tetor 2026, por sipas tij, PS nuk është e gatshme që ta bëjë këtë diskutim të hënën.