Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Berisha në Korçë, kritika qeverisë për emigracionin, çmimet dhe pensionet

Shkruar nga Newsbomb
Berisha në Korçë, kritika qeverisë për emigracionin,
Sali Berisha

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte pasdite takimin e radhës në Korçë, në kuadër të turit “Foltorja e Ripërtëritjes”. Gjatë takimit, ai u ndal te disa prej çështjeve që i konsideron problematike për vendin, duke përmendur emigracionin, rritjen e çmimeve, nivelin e pagave dhe pensionet.

Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion, ndërsa kërkoi mobilizimin e opozitës dhe qytetarëve. Një pjesë të fjalës së tij, kreu i PD-së ia kushtoi largimit të shqiptarëve jashtë vendit. Berisha pretendoi se emigracioni ka sjellë një tkurrje të ndjeshme të popullsisë në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje edhe shifrat që ai deklaroi gjatë takimit.

“PD dhe opozita kapërceu betejat e veta, por ato nuk ishin qëllim në vetvete. Ato kishin një qëllim, një opozitë të vërtetë, e cila të shndërrohej në lokomotivë të forcës së forcave opozitare dhe shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim. Ndaj dhe kjo Foltore e Ripërtëritjes është një apel, është një kushtrim për çdo qytetar, për të gjithë Korçën në këmbë. Për çdo pogradecar dhe Pogradecin në këmbë. Për Kolonjën dhe kolonjarët në këmbë. Për Devollin dhe devollinjtë në këmbë”, tha Berisha. Duke iu referuar emigracionit, kreu i PD-së deklaroi:

“Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë, kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë. Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE. Po të shtojmë këtu ata që jetojnë në vendet e tjera jashtë BE, ju garantoj se mbi 60 përqind e kombit nuk ndodhet më në Shqipëri”.

Berisha solli më tej edhe një shembull nga Strasburgu, ku tha se kishte parë çmime më të ulëta në një market, ndërsa pagat, sipas tij, janë disa herë më të larta se në Shqipëri.

“Isha në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjitha çmimet, ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu. Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat”.

Në përfundim, Berisha deklaroi se opozita do të synojë ndryshimin e situatës sociale dhe ekonomike në vend, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilësoi si humbje të “bashkëndjesisë” në shoqëri. “Ne do ta përmbysim në mënyrën më emergjente këtë situatë”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese