Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij, në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë.
Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë, shtetin e së drejtës në tërësi dhe besimin e publikut.
Ndërkohë, dje ambasadori Michel Tarran u takua me Kryetarin e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia, për të diskutuar zhvillimet në fushën e drejtësisë, raporton newsbomb.al.
Bie në sy, se Prezenca e OSBE në Tiranë është angazhuar ditët e fundit në takime me të gjitha palët që janë përfshirë në "konflikt" me pushtetin ekzekutiv, dhe midis tyre. Avokatët kanë bojkotuar seancat në gjykatat e posaçme për shkak të rregullores së re, kurse shoqatat e mësipërme janë në përplasje me qeverinë për pagat.
Javën e kaluar, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për uljen në një tryezë të përbashkët, për të diskutuar për pagat e tyre.
Shoqatat kryesore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë që të zbatohet vendimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi qeverinë të paguajë magjistratët me pagat e rritura.
Më 25 Shtator, në nisje të mbledhjes së përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi është shprehur kundër propozimit të kryeministrit Edi Rama, që magjistratët të ulen në tryezën e dialogut për të negociuar për pagat. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka folur dhe Kushtetuta nuk negociohet.

