E premte, 2 Tetor 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Vendimet e qeverisë/ Miratohen projektligjet për kriptoasetet, Këshillin Fiskal dhe mbikëqyrjen e cannabis 

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme një sërë vendimesh dhe projektligjesh, që prekin fusha të ndryshme, nga vullnetarizmi dhe kujdesi alternativ për fëmijët, te mbikëqyrja e aktiviteteve me cannabis dhe tregu i kriptoaseteve.

Mes projektligjeve të miratuara është edhe ai për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, i cili synon forcimin e disiplinës fiskale, transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Reklamë

Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu projektligjin për tregjet e kriptoaseteve, që përcakton rregullat për ofertën publike, tregtimin e kriptoaseteve dhe kërkesat për ofruesit e shërbimeve në këtë sektor.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimet:

-Për përmbajtjen dhe rregullat e plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe rregullat, afatet e procedurat e raportimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit nga ofruesit e vullnetarizmit.

-Për përcaktimin e rregullave për organizimin, funksionimin dhe aksesin në regjistrin elektronik për kujdesin alternativ në familje.

-Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të monitorimit të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe për organizimin dhe zbatimin e monitorimit e të inspektimit të shërbimit.

-Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara me bimën e cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Njëherësh janë miratuar dhe projektligjet si më poshtë:

-Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë.

Ky ligj përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë (në vijim Këshilli Fiskal), si person juridik publik i pavarur, me qëllim kontributin në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

-Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare.

-Për tregjet e kriptoaseteve

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe kërkesave për ofertën ndaj publikut dhe pranimin për tregtim në një platformë tregtimi të kriptoaseteve, si dhe përcaktimi i kërkesave për ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.