Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.
Takimi vjen disa ditë pasi Shoqata e Gjyqtarëve dhe ajo e prokurorëve refuzuan tryezën me kryeministrin Rama për çështjen e pagave, me pretendimin se do të presin vendimin e Kushtetueses.
Përmes një reagimi në Facebook Tarran thotë se gjatë këtij takimi u nënvizua rëndësia e përfshirjes së të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në diskutimet për çështjet që lidhen me funksionimin e tij. OSBE thekson se një përfshirje e tillë është e rëndësishme edhe për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ruajtjen e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
“Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe ndikimin që ato mund të kenë në funksionimin e tij, në të drejtat e individit dhe standardet për gjykim të drejtë.
Gjatë diskutimit, u theksua, gjithashtu, rëndësia e përfshirjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në çështjet që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë, shtetin e së drejtës në tërësi dhe besimin e publikut”, thuhet në njoftim.
Kur nisi përplasja mes qeverisë dhe magjistratëve?
Zanafilla e përplasjes mes palëve ishte mosrespektimi nga ana e socislistëve, i afatit të vendosur nga Kushtetuesja për miratimin e një formule të re pagash për magjistratët brenda 31 korrikut. Ndërsa më 18 shtator, me 84 vota të shumicës parlamenti miratoi një skemë që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Rritja me 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur GJK, e cila tani, do të duhet të rishprehet për këtë çështje.







Komente
Komento