
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime dhe projektligje në mbledhjen e 2 tetorit 2026, që lidhen me financat publike, tregun e kriptoaseteve, si dhe shërbimet e kujdesit alternativ për fëmijët.
Një prej projektligjeve të miratuara është ai për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë. Ky projektligj përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Fiskal si një person juridik publik i pavarur, me synim forcimin e disiplinës fiskale, transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Një tjetër projektligj i miratuar lidhet me tregjet e kriptoaseteve. Ai përcakton rregullat për ofertën publike dhe pranimin e kriptoaseteve për tregtim në platformat përkatëse, si dhe kërkesat që duhet të përmbushin ofruesit e shërbimeve në këtë sektor.
Qeveria ka miratuar gjithashtu projektligjin për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare.
Në fushën e shërbimeve sociale, Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat për organizimin, funksionimin dhe aksesin në regjistrin elektronik të kujdesit alternativ në familje. Po ashtu, janë përcaktuar procedurat për monitorimin e fëmijëve të vendosur në këtë formë kujdesi dhe inspektimin e shërbimit.
Një tjetër vendim parashikon rregullat për përmbajtjen dhe plotësimin e Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe afatet dhe procedurat e raportimit nga ofruesit e vullnetarizmit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit./Versus.al

