Një dëshmi e re e marrë nga SPAK ka sjellë një zhvillim të ri në hetimin për bllokimin e pagave të sistemit të drejtësisë.
Një prej drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe ka deklaruar para hetuesve se është kërcënuar me largim nga detyra dhe me nisjen e një auditimi, nëse do të zbatonte një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Mua më kërcënuan se do më largonin nga detyra dhe se do nisnin audit nëse ekzekutoja vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, mësohet të ketë deklaruar ajo gjatë dëshmisë.
Emailet e ministrisë në dosjen e SPAK
Sipas burimeve të TCH, dëshmia e zyrtares është mbështetur edhe nga komunikimet elektronike të administratës.
Në materialet e përcjella në SPAK nga AKSH, sipas këtyre burimeve, përfshihen emaile të shkëmbyera mes sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe zyrtarëve të tjerë të institucionit gjatë muajve gusht dhe shtator.
Pikërisht në këtë periudhë dyshohet se ka nisur përplasja lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Hetimi zgjerohet edhe për “kanosje për shkak të detyrës”
Hetimi i nisur më 18 shtator për “shpërdorim detyre” dhe “mos ekzekutim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese” pritet të marrë një tjetër drejtim.
Sipas burimeve, në dosje do të përfshihet edhe dyshimi për “kanosje për shkak të detyrës”, pas dëshmive të marra nga drejtuesit e degëve të Thesarit.
Drejtorët e Thesarit po merren në pyetje
Në ditët e fundit, SPAK ka marrë në pyetje disa prej drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe, në kuadër të verifikimeve për mënyrën se si është vepruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, personat e kallëzuar nga gjyqtarë dhe prokurorë pritet të pyeten në fazat e mëtejshme të hetimit.
Mes tyre janë ministri i Financave, sekretari i përgjithshëm dhe drejtues të tjerë të strukturave përgjegjëse. Në fund pritet të japë dëshminë edhe drejtoresha e përgjithshme e Thesarit, me seli në Tiranë.
Hetimi vijon për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje apo presione ndaj zyrtarëve të Thesarit dhe nëse këto veprime kanë ndikuar në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.













