Nga Dojna Mema
Unë njoh 12 gra, jeta e të cilave është shkatërruar brenda 2 orësh, ditën e mërkurë.
12 gra, që nuk kishin bërë asgjë. Asgjë, përveçse të kishin fatin e keq për të ndërtuar marrëdhënie intime me një njeri që abuzoi me besimin e tyre. Fatin e keq, që ato video, për të cilat jam e bindur se nuk e kanë dhënë pëlqimin, u publikuan, edhe pse nuk kanë asnjë interes publik.
Jo!Ato materiale, nuk kanë interes publik!Sepse kurioziteti publik… perversiteti publik, nuk është interes publik!
Po. Dhe gjërave, duhet t’u vëmë emrin e vet.
Ai që vuri kamerën dhe filmoi njerëz që nuk e dinin, nuk bëri "skandal". Bëri krim.
Ai që i nxori ato pamje andej nga ishin, nuk "rrodhi informacion". Edhe ai bëri krim.
Edhe ai që i hodhi online, duke e quajtur veten “gazetar”, nuk bëri gabim profesional. Ai ndërroi zanat. Sepse gazetaria ka një detyrë që e ndan nga tregëtia: të mbrojë atë që nuk mbrohet dot vetë.
(frymëmarrje)
Por ka diçka që më habit.
A nuk ju duket e çuditshme, që ato 12 gra po bëhen mish për top në sezonin më të madh të skandaleve të kësaj qeverie?
A nuk ju duket e çuditshme, që nga flamingot, po na detyrojnë të merremi me video erotike që s’kanë lidhje me politikën?
(Frymëmarrje)
Në të vërtetë, ato nuk janë vetëm12 gra….
Janë 120 gra…
Janë 1200,
12,000 e më shumë gra…
Ne i takojmë çdo mëngjes kur vijnë të denoncojnë; shohim përditë atë që u ndodh; viktima të hakmarrjes pornografike; nuk na kanë bërë asgjë dhe i godasim me gurë.. jo në rrugë, por në rrjete, në chate, në meme.
Por nëse më e keqja ndodh, nëse një nga ato 12 gra nuk e mban dot dhimbjen e madhe që po i shkaktohet, çfarë do të bëjmë ne me ato meme? Si do të mund ta shohim veten në pasqyrë?
A e pyesim veten nëse po shkatërrojmë jetën e dikujt? Dikujt, që nuk na ka bërë asgjë! As ne, as familjeve tona, e as vendit tonë!
A e pyesim veten, që nesër mund të jetë rradha e një njeriu që e duam, që nuk e meriton t’i ndodhë kjo?
A duam ne, një shoqëri, që po të pa vulnerabël të mbulon me gurë?
Apo, mos po kthehemi si shoqëri në kopje të atyre kundër të cilëve po protestojmë çdo ditë në bulevard?
Janë shumë pyetje. Që kanë vetëm një përgjigje.
(frymëmarrje)
Ju…
Ti… që po më dëgjon…
Dëgjoje zërin e motrës, nënës, gruas,a fëmijës brenda teje…
Dhe Fshije. Fshije videon, dhe fshije chatin ku e dërgove.
Dhe më lejo, që në emër tënd, t’u kërkoj falje.
Na falni, vajza e gra.
Na falni, për këtë që ju bëmë.
Sepse ju, nuk na keni bërë asgjë.
© SYRI.net