Çmimet e naftës kanë nisur të bien pas vendimit për lirimin e 100 milionë fuçive nga rezervat strategjike, bëri të ditur kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol.
“Bëmë sot një hap sa i përket naftës. U zhvillua një takim me liderë botërorë dhe njoftuam se do të nisim sërish vënien në dispozicion të 100 milionë fuçive naftë”, deklaroi Birol.
Sipas tij, vendimi ka dhënë tashmë efekt në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet kanë nisur të ulen.
Birol shprehu shpresën se masa do të ndikojë pozitivisht në ekonominë globale dhe në ekonominë e Turqisë, duke kontribuar në zbutjen e presioneve të krijuara nga çmimet e energjisë.
Deklaratat e kreut të IEA-së u bënë në Stamboll, gjatë një konference të fokusuar te financimi i transformimit energjetik dhe rruga e Turqisë drejt COP31, konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.


