Lituania ka nisur testimin e sistemit ukrainas të mbikëqyrjes së hapësirës ajrore “Sky Fortress”, i cili është projektuar për të zbuluar dhe identifikuar kërcënimet e mundshme nga dronët dhe raketat.
Ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, bëri të ditur se sistemi po testohet si pjesë e përpjekjeve për t’iu përshtatur zhvillimeve të shpejta në fushën e kërcënimeve ajrore.
“Kërcënimet nga ajri po ndryshojnë me shpejtësi, ndaj edhe ne po përshtatim zgjidhjet tona. Në vend që të zhvillojmë gjithçka nga fillimi, po përshtatim sisteme që tashmë përdoren në Ukrainë”, deklaroi Kaunas.
Ukraina, e cila ndodhet në vitin e pestë të luftës pas pushtimit të plotë rus, ka zhvilluar dhe përdorur gjerësisht teknologji të ndryshme për dronët dhe kundër tyre, duke u konsideruar një nga vendet më të avancuara në këtë fushë.
Sipas Ministrisë lituaneze të Mbrojtjes, “Sky Fortress” përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar dhe ndjekur dronët që fluturojnë në lartësi të ulët, si dhe raketat kruz.
Sistemi analizon shenjat akustike dhe elektromagnetike të objekteve, përfshirë tingujt dhe sinjalet që ato lëshojnë, për të përcaktuar natyrën e kërcënimit.
Autoritetet lituaneze bëjnë të ditur se teknologjia mund të identifikojë në kohë reale llojin e objektit të zbuluar, duke i dhënë forcave përgjegjëse për mbrojtjen ajrore më shumë informacion për reagimin ndaj kërcënimeve.
Testimi i sistemit vjen në një kohë kur Lituania dhe dy vendet e tjera baltike, Estonia dhe Letonia, kanë përjetuar disa incidente me dronë që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Në disa raste, dronë ukrainas që kishin humbur drejtimin gjatë misioneve kundër objektivave në veriperëndim të Rusisë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike dhe më pas janë rrëzuar.
Ndërkohë, në hapësirën ajrore të Lituanisë kanë hyrë edhe dronë me origjinë ruse, të cilët kanë ardhur nga territori i Bjellorusisë.
Përballë këtyre incidenteve dhe rritjes së përdorimit të dronëve në konflikt, vendet baltike po përpiqen të forcojnë kapacitetet e tyre për zbulimin dhe identifikimin e mjeteve ajrore që hyjnë në hapësirën e tyre.


