
Një anije transportuese mallrash me shumicë, me emrin “Aroyat”, është sulmuar më 27 shtator, teksa po i afrohej portit të Novorossiysk-ut në Rusi. Nga sulmi anija ka pësuar dëme të konsiderueshme, ndërsa në pjesën e pasme të saj ka shpërthyer një zjarr.
Në bordin e anijes ndodhej një ekuipazh prej 16 personash: shtatë egjiptianë, gjashtë sirianë, dy turq dhe një shtetas turko-shqiptar.
Ky i fundit është Erkan Nika, i cili shërbente si inxhinier i dytë në bordin e “Aroyat”. Sipas raportimeve të mediave turke, Nika nuk ka qenë mes anëtarëve të ekuipazhit të shpëtuar pas sulmit dhe aktualisht rezulton i zhdukur.
Familja e tij ka bërë apel për ndihmë, ndërsa vëllai i Erkanit, Erizon Nika, ka kërkuar informacion për vendndodhjen dhe gjendjen e tij.
“Vëllai im nuk ishte mes ekuipazhit të shpëtuar. Aktualisht nuk kemi asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen apo gjendjen e tij shëndetësore. Në kaosin e sulmit, ai mund të jetë në një spital në Rusi ose diku tjetër në terren”, është shprehur ai, sipas mediave turke.
Deri më tani nuk është publikuar një listë zyrtare e viktimave apo e personave të zhdukur nga incidenti.
Pretendimet se sulmi ndaj anijes është kryer nga forcat ukrainase nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Pas incidentit janë aktivizuar procedurat e evakuimit dhe kërkim-shpëtimit. Të afërmit dhe kolegët e Erkan Nikës u kanë bërë thirrje autoriteteve përkatëse, organizatave ndërkombëtare detare dhe qendrave të koordinimit të kërkim-shpëtimit që të angazhojnë të gjitha burimet për gjetjen e tij.
Anija “Aroyat”, e ndërtuar në vitin 1997, lundron nën flamurin e Palaut dhe është në pronësi e operim të një kompanie me seli në Stamboll./Versus.al

