Eva Lleshaj, një shofere profesioniste shqiptare në Itali, mund të bëhet gruaja e parë që drejton një tramvaj në qytetin e Bolonjës, pasi është përzgjedhur mes 50 kandidatëve të parë nga kompania e transportit publik Tper.
Sipas mediave italiane, trajnimi për kandidatët pritet të nisë në fund të muajit nëntor. Ata do të përgatiten për drejtimin e tramvajeve në linjat e reja të transportit publik të qytetit, përfshirë Linjën e Kuqe dhe Linjën e Gjelbër.
Për Lleshajn, kjo mundësi përfaqëson më shumë se një hap të ri në karrierën e saj profesionale.
“Për mua është një dëshirë e madhe, mezi po pres”, është shprehur ajo, duke e cilësuar mundësinë për të drejtuar tramvajin si një ëndërr të vërtetë.
Eva ka disa vite që punon si drejtuese autobusi dhe tashmë shpreson të kalojë nga drejtimi i autobusëve në atë të tramvajit.
Historia e saj profesionale ka edhe një lidhje të fortë me familjen dhe origjinën e saj shqiptare. Babai i Evës ka punuar gjithashtu si shofer autobusi në Shqipëri.
“Jam shqiptare dhe babai im ishte shofer autobusi në vendin tim. Për mua kjo do të thotë shumë”, ka treguar ajo.
Nëse përfundon me sukses trajnimin dhe nis punën si drejtuese tramvaji, Lleshaj do të mund të bëhet gruaja e parë që drejton një tramvaj në Bologna. Për të, kjo do të përbënte jo vetëm një arritje profesionale, por edhe një moment të veçantë për familjen e saj.
Ndërkohë, Bologna po zhvillon një prej projekteve më të rëndësishme të transportit publik në qytet, me ndërtimin e një rrjeti të ri tramvajesh që synon të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e lëvizjes së banorëve.
Projekti përfshin disa linja, ndërsa Linja e Kuqe dhe Linja e Gjelbër janë ndër ndërhyrjet kryesore. Për këto dy linja, investimet e parashikuara kapin një vlerë prej më shumë se 780 milionë eurosh.


