Një dëshmi e re ka dalë në dritë në hetimin e SPAK për bllokimin e pagave të sistemit të drejtësisë dhe moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Një prej shefeve të degëve të Thesarit ka deklaruar para prokurorëve se është vënë nën presion për të mos zbatuar vendimin e GJK-së. Sipas saj, i është thënë se mund të largohej nga detyra dhe se ndaj saj mund të niste edhe një auditim.
Dëshmia është dhënë në kuadër të hetimit të nisur nga SPAK më 18 shtator. Bëhet me dije se deklarimet e zyrtares po verifikohen edhe përmes dokumenteve dhe komunikimeve elektronike të administruara nga AKSHI. Bëhet fjalë për email-e të shkëmbyera gjatë gushtit dhe shtatorit mes sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni. Komunikimet lidhen me mënyrën se si u trajtua çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht dëshmia për presionin e pretenduar ka bërë që hetimi të zgjerohet. Sipas burimeve, krahas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, tashmë po verifikohet edhe dyshimi për “kanosje për shkak të detyrës”. SPAK ka nisur ndërkohë marrjen në pyetje të disa drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe, shkruan TopChannel. Prokurorët po mbledhin dëshmi për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me zbatimin e vendimit dhe nëse punonjësve u është ushtruar presion.
Në ditët në vijim pritet të pyeten edhe zyrtarët e kallëzuar nga gjyqtarë dhe prokurorë. Në këtë listë janë ministri i Financave dhe sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, ndërsa pritet të japë shpjegime edhe drejtoresha e Përgjithshme e Thesarit në Tiranë. Hetimi vijon për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të Ministrisë së Financave për të penguar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nëse këto veprime përbëjnë shkelje penale.
“Mua më kërcënuan se do më largonin nga detyra dhe se do nisnin audit nëse ekzekutoja vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar para SPAK zyrtarja e Thesarit.
