Në muajin prill emisioni “Stop” transmetoi një vëzhgim në plot 13 shkolla të Tiranës, për të parë funksionimin e shërbimit shëndetësor. Edhe pse mjekët dhe stomatologët rezultojnë të planifikuar me grafikë, për të mbuluar institucionet arsimore, në praktikë prania e tyre ishte e rrallë, ose inekzistente.
Kamera e “Stop” provoi mungesë të plotë të mjekëve, ose prezencë sporadike të tyre. Nga dëshmitë e rojeve, mësuesve dhe nxënësve, doli se këta specialistë lëvizin nga një shkollë në tjetrën, ose mungojnë për periudha të gjata, duke e bërë shërbimin joefektiv.
Raporti i auditimit nxori në pah se, nga grafiku i shpërndarjes, kishte pabarazi në punësimin e mjekëve dhe stomatologëve. 8 punonjës nuk paraqiteshin me vite në punë e ndërkohë paguheshin.
Ne iu drejtuam Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, ku drejtoresha Suida Kuka mohon të ketë dijeni për këtë rast dhe për raportin e hartuar.
Ndriçim Mehmeti thotë se ky është skandal, për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet shëndetësore dhe arsimore./tvklan.al












