Tetori nuk pritet të sjellë menjëherë motin tipik të vjeshtës. Temperaturat do të qëndrojnë mbi vlerat normale për periudhën, ndërsa ndryshimi i parë i ndjeshëm i situatës atmosferike pritet gjatë javës së dytë të muajit.
Meteorologia Rezarta Xhakollari tha në “Studio Live” se ditët e para të tetorit do të jenë kryesisht të qëndrueshme, me temperatura të larta sidomos në orët e mesditës. Sipas saj, kjo situatë pritet të zgjasë deri rreth datave 4-5 tetor.
Më pas, tabloja e motit do të ndryshojë. Një masë ajrore e paqëndrueshme pritet të sjellë reshje shiu dhe në momente të caktuara edhe stuhi, ndërsa temperaturat mund të bien me rreth 5-6 gradë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se tetori do të jetë një muaj i ftohtë. Xhakollari parashikon luhatje të temperaturave, por mesatarisht muaji pritet të jetë më i ngrohtë se normalja klimatike.
Dimër më i butë
Sipas parashikimit afatgjatë, tendenca për temperatura mbi normalen mund të vijojë edhe pas tetorit.
Nëntori dhe dhjetori pritet të karakterizohen nga vlera relativisht të larta, ndërsa edhe muajt e dimrit, dhjetor, janar dhe shkurt, nuk pritet të sjellin depërtim të shpeshtë të masave të forta polare.
Kjo do të nënkuptonte një dimër më të butë se zakonisht, me temperatura nën zero që nuk priten të jenë dominante.
El Niño dhe ndikimi në mot
Meteorologia foli edhe për fenomenin El Niño, i cili lidhet me ngrohjen periodike të ujërave të Oqeanit Paqësor dhe mund të ndikojë në modelet atmosferike në pjesë të ndryshme të globit.
Ndikimi i tij në Europë është kryesisht indirekt, por ndryshimet në temperaturat e oqeanit mund të lidhen me episode me reshje të dendura, thatësira apo përmbytje në zona të ndryshme.
Sipas Xhakollarit, ndryshimet klimatike po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në sektorë të ekonomisë, veçanërisht në bujqësi dhe blegtori.














