Një projektvendim i Këshillit të Ministrave, i miratuar të premten, përcakton rregulla të reja dhe të detajuara për kontrollin dhe mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë veprimtari me cannabis për qëllime mjekësore dhe industriale.
Mbikëqyrja do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në zbatim të ligjit nr. 61/2023, dhe do të përfshijë të gjitha fazat e aktivitetit, duke nisur nga importi i farërave dhe fidanëve, vijuar me kultivimin, korrjen, përpunimin, magazinimin, transportin dhe eksportin, deri te asgjësimi i materialit.
Sipas projektvendimit, inspektimet do të zhvillohen bazuar në një program vjetor dhe në analizën e riskut. Megjithatë, autoritetet do të kenë të drejtë të kryejnë edhe kontrolle pa njoftim paraprak, veçanërisht në rastet kur ka dyshime për shkelje të rregullave.
Një tjetër kërkesë lidhet me gjurmueshmërinë e materialit. Çdo lëvizje e tij do të duhet të regjistrohet në një sistem kombëtar të gjurmueshmërisë. Pas korrjes, materiali nuk do të mund të kalojë në fazat e mëtejshme të përpunimit pa u regjistruar dhe, kur kërkohet, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.
Për cannabisin industrial përcaktohet një nivel maksimal prej 0.8% THC. Nëse analizat konstatojnë një përqindje më të lartë se kufiri i lejuar, loti do të vendoset në karantinë. Subjekti do të ketë të drejtë të kërkojë ritestim brenda dy ditëve pune.
Në rast se gjatë kontrolleve konstatohen shkelje, kompanive do t’u përcaktohen masa korrigjuese, të cilat duhet të përmbushen brenda një afati maksimal prej 30 ditësh. Pas përfundimit të këtij afati, autoritetet do të kryejnë një rikontroll për të verifikuar nëse problematikat e evidentuara janë korrigjuar.
Ndërkohë, materiali për të cilin ekzistojnë dyshime mund të sekuestrohet përkohësisht. Konfiskimi do të bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, ndërsa asgjësimi i materialit do të kryhet vetëm nga subjekte të autorizuara.


