Shqipëria është gati të mbyllë një tjetër kapitull drejt anëtarësimit të plotë në BE. Report Tv mëson se më 13 tetor do të mbahet në Bruksel konferenca ndërqeveritare mes Presidencës së BE-së dhe Shqipërisë.

Bëhet fjalë për mbylljen e Kapitullit 20 që lidhet me biznesin dhe Politikat Industriale. Në mbledhjen ndërqeveritare pritet të marrë pjesë kryeministri Edi Rama.

Shqipëria mbylli në korrik tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian, nga 33 në total. Vendi konsiderohet tashmë plotësisht i njësuar me standardet europiane për kapitullin 25 kërkimin shkencor, Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën si dhe kapitullin 30, atë të marrëdhënieve me jashtë.

Në Konferencën Ndërqeveritare që u mbajt në Bruksel, zyrtarët europianë vlerësuan ritmin e reformave, ndërsa kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një tjetër gur kilometrik. Me mbylljen e 3 kapitujve të parë në korrik, Shqipëria shënoi rekord në shpejtesinë e ecurise se negociatave dhe është drejt arritjes së objektivit për të mbyllur 10 kapitujt brenda këtij viti, si dhe të gjithë kapitujt brenda vitit 2027-të.