E premte, 2 Tetor 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Debat në SHBA nëse duhet hequr ose jo dënimi me vdekje

Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tennessee është ndërprerë pasi e dënuara Christa Pike nuk humbi shenjat jetësore pas administrimit të dy dozave të pentobarbitalit.

Pike, 50 vjeçe, rezultoi ende gjallë, me frymëmarrje dhe rrahje zemre, duke bërë që procedura të mos përfundonte. Sipas avokatëve të saj, gjatë përpjekjes për të gjetur një venë në krahun e saj janë përdorur disa gjilpëra.

Reklamë

Rasti ka shkaktuar reagime të forta dhe ka rikthyer në qendër të debatit mënyrën se si kryhen ekzekutimet me injeksion në SHBA. Avokatët e Pike e kanë cilësuar procedurën si “mizore dhe torturuese”, ndërsa kanë kërkuar që dënimi me vdekje ndaj saj të zëvendësohet me burgim të përjetshëm.

Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995. Nëse ekzekutimi do të kishte përfunduar, ajo do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se dy shekujsh.

Ky nuk është rasti i parë i problemeve gjatë një ekzekutimi në Tennessee. Shteti është përballur me një tjetër procedurë të dështuar vetëm disa muaj më parë, duke shtuar pikëpyetjet mbi protokollet dhe zbatimin praktik të injeksioneve vdekjeprurëse.

Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në Alabama, ku pas vështirësive me injeksionet vdekjeprurëse është përdorur më pas azoti si metodë alternative ekzekutimi.

Rasti i Pike ka nxitur reagime edhe nga juristë, mjekë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët kanë kërkuar pezullimin e ekzekutimeve. Avokati Bryan Stevenson ka argumentuar se dështimet e përsëritura tregojnë probleme serioze në mënyrën e realizimit të dënimeve me vdekje.

Debati zhvillohet ndërkohë që numri i ekzekutimeve në SHBA është rritur. Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të ekzekutimeve në vend në 16 vite, me 47 raste të regjistruara në 12 shtete.

Në të njëjtën kohë, mbështetja publike për dënimin me vdekje është më e ulët se në dekadat e mëparshme, duke e mbajtur të hapur debatin mbi përdorimin dhe mënyrën e zbatimit të këtij dënimi.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.