Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rrjetit elektrik në fshatin Cahan të Hasit.
Në pamjet e dërguara shihet një shtyllë druri e amortizuar dhe e anuar, ndërsa kabllot elektrike kalojnë pranë banesave dhe gardheve.
Në disa pjesë të videos, kabllot varen poshtë dhe mbështeten mbi struktura prej druri.
Por një tjetër pamje tërheq vëmendjen. Një kabllo mbahet nga një shkop i hollë druri, i cili lëviz lehtësisht edhe me dorë.
Sipas banorëve, rrjeti elektrik është në gjendje të amortizuar dhe ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta.
Cahani është një zonë me potencial turistik, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për gjendjen e infrastrukturës elektrike dhe kërkojnë ndërhyrje.
Ata i bëjnë thirrje OSHEE-së që të verifikojë gjendjen e linjës dhe të marrë masa për riparimin e elementeve të amortizuara, si dhe për përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
JOQ Albania publikon pamjet e dërguara nga banorët dhe mbetet e hapur për reagimin e OSHEE-së dhe institucioneve përgjegjëse.