Një grup studentësh dhe aktivistësh pritën me protestë kryeministrin Edi Rama gjatë një vizite të tij në QSUT, ku ai shkoi për të inauguruar kardiokirurgjinë e re. Protestuesit shpalosën një banderolë të madhe dhe thirrën në kor “Arrestoni Ramën”, në momentin kur eskorta e kryeministrit mbërriti në QSUT.

Për të penguar dhe shpërndarë protestuesit, ndërhynë policia dhe persona civilë, të cilët shoqëruan në komisariat një aktivist dhe një student.

Por, përveç protestuesve, gjatë kohës që Rama ndodhej në QSUT, policia bllokoi lëvizjen edhe të personave të tjerë që ndodheshin në spital për shërbime të ndryshme mjekësore apo për të vizituar të afërmit e tyre.

Gazetari Osman Stafa raportoi se grupi i sigurisë nuk lejoi askënd të afrohej apo të lëvizte në zonën pranë godinës së kardiokirurgjisë.

Edhe vetë gazetari Osman Stafa u spostua dhe nuk u lejua të afrohej pranë godinës së kardiokirurgjisë, ku pritej të mbërrinte Rama. Stafa tha se synonte ta pyeste kryeministrin lidhur me mungesën e ilaçeve në Onkologji.

“Doja ta pyesja Kryeministrin Edi Rama sot në QSUT, për mungesat e barnave dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik, por ai nuk u përgjigj. Pyetja ime ishte: A është krim kundër njerëzimit mungesa e ilaçeve kimio për të sëmurët”, shprehet gazetari.

Ndërkohë, pas daljes nga godina e kardiokirurgjisë, Rama shmangu përgjigjen ndaj pyetjeve që gazetari Stafa i drejtoi.

Osman Stafa, Ramës: Dua ta pyes kryeministrin, pse s’ka ilaçe në spitalin Onkologjik?

Gardisti: Pak më andej!

Osman Stafa: Zoti kryeministër mund t’ju pyes për pacientët që kanë mungesa në spitalin Onkologjik. A është krim kundër njerëzimit të mos kesh pajisje dhe ilaçe në spitalin Onkologjik?

Gardisti: Hapeni rrugën, hapeni rrugën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb