Në Tiranë zhvillohet sot protesta e 126-të qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas më shumë se katër muajsh tubime të pandërprera, qytetarët dhe aktivistët do të mblidhen sërish, duke bërë të qartë se do ta vijojnë qëndresën dhe kërkesat e tyre politike.
Tubimi i sotëm pason protestën e 125-të, e cila nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi me një marshim në rrugët e kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Pjesëmarrësit hodhën akuza dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa kërkuan sërish dorëheqjen e Ramës dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit. Në përfundim të protestës u kërkua një pjesëmarrje edhe më e madhe në ditët e ardhshme.
Gjatë protestës së djeshme pati edhe deklarata të ashpra ndaj përfaqësuesve të qeverisë. Një prej protestueseve kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut dhe akuzoi qeverinë për korrupsion.
Prej javësh, protestuesit shprehen se synimi kryesor i tyre është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Kërkesat e tyre përfshijnë gjithashtu ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, ndryshimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e disa nismave ligjore të kundërshtuara prej tyre.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, pjesëmarrësit e protestës së 125-të e vijuan tubimin përmes një marshimi në rrugët e Tiranës.
