Kievi është përballur me sulme të reja ruse gjatë natës, ku janë goditur infrastruktura të ndryshme dhe një urë e rëndësishme mbi lumin Dnipro. Sulmet kanë shkaktuar dëme në disa zona të kryeqytetit dhe rajonit përreth, ndërsa mijëra persona po largohen nga Kievi pas bombardimeve.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se ura veriore u godit gjatë ofensivës. Ekipet e emergjencës janë dërguar në zonë për të përballuar pasojat e sulmeve.
Përveç urës, janë dëmtuar edhe linja elektrike dhe infrastruktura të tjera.
Ndërkohë, në Hostomel, në rajonin e Kievit, dronët rusë goditën disa magazina farmaceutike. Sipas autoriteteve ukrainase, nga sulmet mbetën të plagosur katër persona, mes tyre edhe një vajzë e mitur.
Pavarësisht sulmeve të fundit, Ministria e Jashtme e Ukrainës deklaroi se deri tani nuk ka marrë njoftime nga ambasadat e huaja për plane për evakuim apo zhvendosje nga Kievi.
Ukraina përgatit planin për identifikimin e trupave
Në një zhvillim tjetër, Ukraina po përgatit një plan për të përshpejtuar identifikimin e trupave dhe mbetjeve të shtetasve ukrainas të riatdhesuar nga Rusia.
Sipas kreut të Zyrës Presidenciale, Kyrylo Budanov, janë kthyer mbi 26 mijë trupa dhe mbetje, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre ende nuk janë identifikuar.
Japonia shpall sanksione të reja ndaj Rusisë
Ndërkohë, Japonia ka njoftuar sanksione të reja ekonomike ndaj Rusisë.
Masat përfshijnë 35 anije të së ashtuquajturës “flotë hije”, e cila përdoret për transportin e naftës ruse dhe për shmangien e sanksioneve.


