EMRI/ Kërcënoi me tritol pronarin e karburantit për 50 mijë euro, kapet autori në Dibër

EMRI/ Kërcënoi me tritol pronarin e karburantit për 50 mijë euro, kapet autori në Dibër

09:22, 03/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 21-vjeçar është arrestuar në Dibër, pasi dyshohet se i ka vendosur një kuti të dyshimtë pronarit të një karburanti dhe e ka kërcënuar me shpërthimin e saj, duke i kërkuar 50 mijë euro në këmbim të mosaktivizimit. Sipas policisë, në kuti ishin vendosur një ekran, pjesë elektronike dhe tela, ndërsa pranë saj ishte lënë një letër kërcënuese ku kërkohej pagesa në kriptomonedha. Në pranga është vënë në flagrancë Engjell Karoshi, 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Sipas hetimeve, i riu kishte pretenduar se kutia përmbante lëndë plasëse C4, sensorë lëvizjeje dhe sistem telekomandimi, ndërsa kishte paralajmëruar se pajisja do të shpërthente nëse paratë nuk paguheshin brenda afatit, nëse kutia zhvendosej ose nëse njoftohej policia. Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, kutia u hap dhe u kontrollua, ndërsa verifikimet treguan se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.

Operacioni policor i koduar “Kërcënimi” u finalizua më 2 tetor nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale të DVP Dibër. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco