Engjëll Karoshi rezulton se është 21 vjeçari i cili ditën e djeshme ka kërcënuar biznesmenin Zija Shulku për t'i marrë 50.000 euro, ose në të kundërt do t'i hidhte në erë pikën e karburantit në Peshkopi, nën pretendimin e një bombe artizanale.
Shërbimet e Policisë Dibër kanë zbardhur në kohë rekord ngjarjen dhe kanë zbuluar skemën e përdorur nga i riu. Ai afrohet në zonë me një kuti pice në dorë, ndërsa në xhep ka pajisjen e modifikuar si bombë, të cilën e lë në pompat e karburantit.
Siç shihet dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, Engjëll Karoshi largohet me vrap nga zona dhe rrobat e veshura gjatë këtij episodi kriminal i hedh në një kosh mbeturinash.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese. 21 vjeçari tani akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
"Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë. Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera", njofton Policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
