Vendosi bombë false në karburant dhe kërkoi 50 mijë euro, në pranga 21-vjeçari në Dibër
Një ngjarje e pazakontë ka alarmuar një karburant në Dibër, ku një 21-vjeçar dyshohet se vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërkoi 50 mijë euro në këmbim të mosshpërthimit të saj. Ngjarja u zbulua më 2 tetor dhe u finalizua nga Policia me operacionin e koduar “Kërcënimi”.
Sipas hetimeve, i riu dyshohet se vendosi në ambientet e karburantit një kuti të pajisur me ekran, tela dhe komponentë elektronikë, duke krijuar përshtypjen se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar. Pranë saj ishte lënë edhe një letër kërcënuese, ku kërkohej pagesa e shumës prej 50 mijë eurosh.
Sipas Policisë, pagesa duhej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi dhe në adresën e përcaktuar nga autori. Në mesazhin kërcënues pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4 dhe ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe sistem telekomandimi.
Autori dyshohet se kishte vendosur edhe një afat për pagesën dhe paralajmëronte se pajisja do të shpërthente nëse do të lëvizte kutia apo nëse do të njoftohej Policia. Për shkak të rrezikut të dyshuar, në vendngjarje mbërritën forcat speciale xheniere të RENEA-s.
Pas hapjes dhe kontrollit të kutisë, ekspertët konfirmuan se ajo nuk përmbante lëndë shpërthyese dhe se bëhej fjalë për një pajisje të sajuar.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe hetimeve intensive, Policia arriti të identifikojë dhe arrestojë brenda pak orësh 21-vjeçarin me inicialet E. K., i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e përfshirjes së personave të tjerë.

