Një pajisje artizanale, e ngjashme me një eksploziv, është përdorur për të kërcënuar biznesmenin Zija Shulku në Peshkopi.
Ngjarja u shënua një ditë më parë, ndërsa policia e Dibrës thotë se ka arrestuar autorin e dyshuar, të identifikuar si Engjell Karoshi.
Sipas të dhënave paraprake, biznesmenit i është kërkuar të paguajë shumën prej 50 milionë lekësh, me paralajmërimin se, në rast të kundërt, biznesi i tij do të hidhej në erë.
Pajisja është vendosur në një kuti të improvizuar, të lënë në cepin e karburantit. Më pas, biznesmeni është njoftuar përmes një mesazhi në celular.
Burime bëjnë me dije se mbi kutinë ishte shkruar edhe një paralajmërim për biznesmenin që të mos njoftonte policinë, pasi në të kundërt shpërthimi do të aktivizohej me telekomandë.
“U bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori. Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë. Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera”,- njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.












