Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

23 vite pa një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, Akademia e Shkencave kujton kompozitorin Tish Daija

Shkruar nga Newsbomb
23 vite pa një nga figurat më të shquara të muzikës
Kompozitori Tish Daija

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujton në ditën e ndarjes nga jeta kompozitorin Tish Daija, më 3 tetor 2003, në moshën 78-vjeçare. Ai ka kompozuar në të gjitha gjinitë muzikore dhe nderohet për kontributin e tij të vyer si kompozitor.

Tish Daija ishte një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, i njohur për kontributin e tij të vyer si kompozitor. Ai u nda nga jeta më 3 tetor 2003, në moshën 78-vjeçare. Lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, si një nga figurat kyçe të muzikës klasike dhe skenike shqiptare.

Që në fëmijëri, Daija u përfshi në jetën muzikore të qytetit, duke u formuar në Korin Françeskan dhe më pas si instrumentist në bandën “Antoniane”. Talentit të hershëm i hapi rrugë angazhimi aktiv në muzikë, ndërsa fizarmonika u bë instrumenti me të cilin realizoi krijimet e para artistike.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkodër, ai ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “Petar Iliç Çajkovski” në Moskë (1951-1956).

Ai ishte autori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, në krijimtarinë e tij spikasin vepra të rëndësishme si opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”.

Që prej vitit 1999 ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe që prej vitit 2000 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ai mban titullin Artist i Popullit.

Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe në vitin 1962 u emërua udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore. Tish Daija, së bashku me Çesk Zadenë dhe Tonin Harapin, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, duke dhënë një kontribut të çmuar si pedagog.

"Në këtë ditë përkujtimore për Tish Daijën, le t'i rikujtojmë trashëgiminë e tij të pasur muzikore, tingujt që na frymëzojnë dhe dashurinë e pakushtëzuar për artin", shkruan Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese