Drogë pranë perimetrit të sigurisë së shkollave, arrestohet 28-vjeçari në Shkodër (EMRI)

Aktualitet

Drogë pranë perimetrit të sigurisë së shkollave,

Një 28-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Shkodrës, pasi ka tentuar të shesë lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë Erdis Zeneli, 28 vjeç, i cili lëvizte me automjetin e tij në afërsi të shkollave, ku gjatë kontrollit, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara edhe në banesën e tij, iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi tjetër lënde bimore të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza dhe e gatshme për tregtim.

Njoftimi i plotë i policisë:

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se merrej me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reaction”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. Z., 28 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër lënde bimore e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza dhe e gatshme për tregtim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 28-vjeçari e siguronte lëndën narkotike me qëllim shitjen e saj, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT