Ka një ndryshim të madh mes prindërve që i ndihmojnë financiarisht fëmijët e tyre të rritur kur kanë vërtet nevojë dhe atyre që janë mësuar t’i shohin prindërit si një lloj “plani B” sa herë që marrin një vendim të keq me paratë.
Kur e di se dikush do të të shpëtojë në fund të muajit, është shumë më e lehtë të mos mendosh gjatë për shpenzimet, faturat apo borxhet. Dhe kjo mënyrë të menduari shpesh duket edhe në mënyrën se si flet.
Këto janë disa nga frazat që përdorin më shpesh të rriturit që presin që prindërit t’i nxjerrin nga situatat e vështira financiare:
1. “Një jetë kemi”
Për dikë që e di se ka gjithmonë një rrjet sigurie, “një jetë kemi” mund të bëhet justifikimi perfekt për të shpenzuar pa shumë menduar.
Një darkë më shumë, një blerje që nuk ishte në plan apo një udhëtim që nuk e përballon dot? Pse jo, fundja “një jetë kemi”. Kur pasojat financiare nuk bien plotësisht mbi ty, është shumë më e lehtë të marrësh vendime impulsive.
Madje, këta persona mund të presin që edhe miqtë e tyre të bëjnë të njëjtën gjë, edhe kur ata nuk kanë të njëjtin rrjet sigurie.
2. “Sapo mora rrogën”
Për dikë që shpenzon në mënyrë impulsive, dita e rrogës mund të duket si një festë.
Në vend që paratë të ndahen për qiranë, faturat, ushqimet apo kursimet, ato mund të shkojnë shumë shpejt për gjëra që nuk ishin domosdoshmërisht në plan. Në fund të muajit, nëse llogaria boshatiset, ekziston gjithmonë mundësia që prindërit të mbulojnë diferencën.
Kjo e bën shumë më të lehtë të mos mendohet gjatë për buxhetin.
3. “Do ta gjej një zgjidhje”
Qiraja po vjen, frigoriferi duhet mbushur dhe paratë nuk mjaftojnë? “Do ta gjej një zgjidhje.”
Për dikë që e di se prindërit janë aty për ta nxjerrë nga situata, kjo frazë mund të jetë një mënyrë për të shtyrë problemin për më vonë. Sidomos menjëherë pas rrogës, kur duket sikur ka ende pafund mundësi për të shpenzuar.
Nëse çdo muaj dikush tjetër mund të të dërgojë para për qiranë ose ushqimet, është më e lehtë që gjithë rroga të duket si para për qejf.
4. “Do ta hedh në kartë”
Karta e kreditit mund të bëhet veçanërisht problematike kur dikush nuk e ka shumë të qartë se sa mund të shpenzojë.
Fakti që paratë nuk dalin menjëherë nga llogaria mund të krijojë iluzionin se shpenzimi nuk është aq i madh. Për më tepër, studime kanë treguar se pagesat me kartë mund të nxisin ndjesinë e shpërblimit që lidhet me blerjen, duke e bërë më të lehtë shpenzimin impulsiv.
Dhe kur në fund të muajit ekziston gjithmonë mundësia që prindërit të mbulojnë një faturë që nuk e përballon dot, cikli vazhdon.
5. “Do të t’i kthej javën tjetër”
Kjo frazë tingëllon e pafajshme derisa “java tjetër” kthehet vazhdimisht në “muajin tjetër”.
Kur dikush nuk është mësuar të përballet vetë me kufizimet e një buxheti, mund të mos ndiejë të njëjtën urgjencë për të kthyer paratë që u detyrohet të tjerëve. Edhe kur ka mundësinë t’u kërkojë ndihmë prindërve, prioritetet financiare mund të jenë krejtësisht të çrregulluara.
Një shumë e vogël që një mik të jep sot mund të jetë e rëndësishme për të, ndaj premtimi për ta kthyer “javën tjetër” nuk është gjithmonë aq i pafajshëm sa duket.
6. “Thjesht merru në telefon prindërve”
Nëse për ty është normale t’u kërkosh para prindërve, mund të të duket e çuditshme që dikush tjetër nuk e bën të njëjtën gjë.
Kështu, kur një mik thotë se nuk mund të shkojë në një udhëtim fundjave sepse nuk ka para, përgjigjja e menjëhershme mund të jetë: “Po pse nuk u kërkon prindërve?”
Sipas psikologut Jeffrey Bernstein, kur prindërit i shpëtojnë vazhdimisht financiarisht fëmijët e tyre të rritur, kjo mund t’u përcjellë mesazhin se ata nuk janë të aftë të menaxhojnë vetë paratë dhe jetën e tyre.
Në këtë mënyrë, ndihma që synon të zgjidhë një problem të momentit mund të përforcojë varësinë financiare.
7. “Kam shije të shtrenjtë”
Është shumë më e lehtë të kesh “shije të shtrenjtë” kur nuk je gjithmonë ti ai që paguan faturën.
Rroba që kushtojnë më shumë seç duhet, produkte luksi apo porosi të shtrenjta ushqimesh mund të justifikohen lehtësisht kur qiraja dhe shpenzimet e tjera nuk janë tërësisht përgjegjësia jote.
Në fund të fundit, është ndryshe të thuash “nuk mund ta përballoj” kur paratë janë të tuat dhe ndryshe kur e di se, nëse llogaria boshatiset, ka dikush që mund të të shpëtojë.


