Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për kërcënimin ndaj një biznesmeni në Peshkopi, ngjarje për të cilën është arrestuar 21-vjeçari Engjëll Karoshi.
Para hetuesve, i riu ka pranuar se është autori i kërcënimit, duke deklaruar se e kishte kryer ngjarjen me qëllim që t’i bënte presion biznesmenit dhe t’i merrte para. Sipas dëshmisë së tij, Karoshi e njihte biznesmenin, pasi kishte shoqëri me djalin e tij.
21-vjeçari dyshohet se kishte shkuar në këmbë pranë një karburanti, ku kishte vendosur një kuti që pretendohej se përmbante lëndë plasëse. Pas kësaj, ai ka hequr rrobat që kishte veshur dhe i ka hedhur në një kosh, me sa duket në përpjekje për të mos u identifikuar.
Por më pas, Karoshi është rikthyer pranë vendit të ngjarjes dhe ka qëndruar aty si spektator, duke ndjekur ndërhyrjen e policisë dhe shpërthimin e telekomanduar të kutisë së dyshimtë.
Fillimisht, 21-vjeçari dhe disa persona të tjerë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Hetuesit kanë nisur më pas verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.
Pas kqyrjes së dhjetëra kamerave, policia ka rindërtuar lëvizjet e personit që dyshohej se kishte vendosur kutinë dhe ka identifikuar Karoshin si autorin e dyshuar të kërcënimit.
Në letrën e lënë bashkë me kutinë, autori kishte kërkuar 50 mijë euro dhe kishte përcaktuar edhe adresën ku duhej të transferoheshin paratë në Bitcoin.
Kutia është hapur dhe neutralizuar nga specialistët e repartit RENEA. Nga verifikimet ka rezultuar se brenda saj nuk kishte lëndë plasëse.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.


