Një 28-vjeçar është arrestuar në Shkodër pasi dyshohet se siguronte dhe shpërndante kanabis, kryesisht në afërsi të shkollave.
Policia ka sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kanabis, një pjesë e të cilit ishte paketuar në doza të gatshme për shitje. Mes paketimeve të gjetura kishte edhe qese me mbishkrimin “Candy Surprise”.
28-vjeçari u kap në automjetin e tij, ku iu gjet një sasi kanabisi. Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti edhe një tjetër sasi droge, të ndarë në doza dhe të përgatitur për shitje.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu peshore elektronike, pajisje për paketim me vakum, një automjet dhe një celular. Sipas policisë, një pjesë e lëndës narkotike ishte në formë xhelatinoze.
Nga hetimet paraprake, policia dyshon se 28-vjeçari siguronte lëndën narkotike për ta shitur kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së shkollave në Shkodër.


