Shqipëria është varfëruar nga keqqeverisja/ Tabaku: Raporti i DASH konfirmon problemet e ekonomisë! Korrupsionin po e paguajnë qytetarët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në videon e radhës të rubrikës “Këndi i Fundjavës”, deklaron se korrupsioni nuk është vetëm një problem politik, por një kosto që rëndon drejtpërdrejt mbi familjet, pensionistët dhe bizneset shqiptare.

Duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, Tabaku thotë se shqetësimet për korrupsionin, konkurrencën e deformuar, informalitetin, pastrimin e parave, prokurimet dhe pasigurinë e pronës nuk janë vetëm akuza të opozitës.

Të lidhura

None found

“Mos më besoni mua. Lexoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kriza për të cilën ne flasim, sepse e jetojmë çdo ditë, përshkruhet edhe atje”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut, korrupsioni përkthehet në më pak para për pensionet, familjet dhe shërbimet publike, ndërsa kontratat e fryra dhe jotransparente krijojnë detyrime afatgjata për buxhetin.

“Ministrat ndryshojnë. Por kontrata mbetet. Fatura mbetet. Dhe fatura gjithmonë u shkon qytetarëve”, deklaron deputetja e PD-së.

Tabaku sjell edhe të dhënat e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2025. Indeksi ra në 40.34 pikë nga 100, ndërsa monopolet dhe konkurrenca e pandershme u vlerësuan me vetëm 26.11 pikë. Korrupsioni mori 28.67 pikë.

Sipas saj, këto rezultate tregojnë vështirësitë që ndeshin kompanitë në marrëdhëniet me administratën, gjykatat, rregullatorët dhe një treg ku jo të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta.

Në video, Tabaku ndalet edhe te cilësia e investimeve të huaja. Ajo argumenton se Shqipëria ka nevojë për më shumë kapital amerikan dhe europian në teknologji, prodhim dhe sektorë që krijojnë vende pune me paga të larta, jo vetëm për investime të përqendruara në prona dhe ndërtime.

“Kapitali serioz kërkon gjykata që funksionojnë, kontrata që zbatohen, konkurrencë, transparencë dhe rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të investitorit”, thekson ajo.

Tabaku e përmbyll mesazhin me kërkesën për kalimin nga ekonomia e favoreve tek ekonomia e rregullave, nga monopolet tek konkurrenca dhe nga kontratat e fshehta tek transparenca.

“Kapitali mund të hyjë edhe në një vend të padrejtë. Por besimi ndërtohet vetëm në një vend të lirë”, përfundon ajo.

DEKLARATA E PLOTE:

Shqiptarët janë sot në një krizë të madhe ekonomike, një krizë që nuk lexohet vetëm në statistika, por ndihet çdo ditë në xhepat e tyre. Ndihet te çmimet që janë rritur, te faturat që rëndojnë, te familjet që punojnë më shumë, por blejnë më pak, te pensionistët që numërojnë çdo qindarkë dhe te prindërit që duhet të zgjedhin cilën nevojë të fëmijëve do të përballojnë dhe cilën do ta shtyjnë për muajin tjetër. Ndihet edhe te biznesi i vogël, që paguan taksa, tarifa, energji, qira dhe interesa, ndërsa përballë ka një konkurrent të lidhur me pushtetin, i cili merr kontratën, lejen, pronën dhe favorin. Kjo krizë i ka rrënjët të thella, sepse nuk është thjesht një vështirësi ekonomike e përkohshme dhe as një krizë që erdhi vetëm nga jashtë e që do të largohet vetvetiu. Ajo është produkt i një sistemi: një sistemi që zyrën qendrore e ka në Kryeministri dhe degët i ka në çdo institucion që duhet t’u shërbente qytetarëve, por që sot u shërben interesave të një pakice.

Tenderë të manipulueshëm, koncesione të mikromenaxhuara politikisht dhe partneritete publike-private, vlera totale e kontraktuar e të cilave arrin afërsisht 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Duhet ta kuptojmë qartë se nuk po flasim vetëm për pagesën e një viti, por për vlerën e përgjithshme të kontratave dhe të angazhimeve afatgjata që rëndojnë mbi ekonominë, buxhetin dhe taksapaguesit shqiptarë. Mbi një miliard euro janë paguar ndër vite për kontratat koncesionare dhe PPP-të, ndërsa disa prej kontratave më të mëdha janë kthyer në objekte hetimesh dhe dosjesh penale. Pagesat vazhdojnë, ministrat ndryshojnë, por kontrata mbetet, fatura mbetet dhe detyrimi mbetet. Në fund, fatura gjithmonë u shkon qytetarëve. Çdo euro që shkon në një kontratë të fryrë, jotransparente apo të panevojshme është një euro më pak për pensionet, për arsimin, për shëndetësinë dhe për shërbimet që u nevojiten familjeve. Të gjitha këto kanë goditur besimin në ekonomi, kanë dëmtuar konkurrencën, kanë penguar sipërmarrjen e ndershme dhe i kanë dhënë Shqipërisë një reputacion që nuk e meriton as vendi dhe as njerëzit e saj.

Mos më besoni mua. Lexoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kriza për të cilën ne flasim, sepse e jetojmë çdo ditë, përshkruhet edhe atje me gjuhën e ftohtë të një raporti teknik, pa retorikë politike dhe pa emocione, por me një diagnozë të qartë: korrupsion, krim i organizuar, pastrim parash, konkurrencë e deformuar, prokurime problematike, pasiguri e pronës, kontrata që nuk zbatohen, informalitet dhe presion mbi biznesin. Këto nuk janë thjesht fjalët e opozitës. Janë problemet që investitorët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë vazhdojnë t’i evidentojnë për Shqipërinë. Prej vitesh i kam lexuar me vëmendje raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit. I kam krahasuar nga njëri vit në tjetrin. Kam lexuar raportet për ekonominë, klimën e investimeve, konkurrencën dhe shtetin e së drejtës. I kam ngritur këto shqetësime në Kuvend, i kam denoncuar kur qeveria i mohonte dhe i kam shpjeguar kur propaganda përpiqej t’i mbulonte.

Ajo që të trondit nuk është vetëm ashpërsia e një fjalie; ajo që të trondit është përsëritja. Vitet ndryshojnë, raportet ndryshojnë, por problemet mbeten. Pas më shumë se një dekade, ato nuk mund të quhen më episode të veçuara të qeverisjes. Janë bërë mënyra e funksionimit të sistemit. Një problem që përsëritet në dymbëdhjetë raporte radhazi nuk është rastësi; është sistem. Në vitin e katërmbëdhjetë kalendarik të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria vazhdon të përballet me të njëjtat pengesa themelore që pengonin biznesin dhe investimet edhe në fillimet e kësaj qeverisjeje. Në disa drejtime, diagnoza është bërë edhe më e rëndë. Sot nuk flitet vetëm për korrupsionin administrativ; flitet për ndikimin e krimit të organizuar, për kapitalin e paligjshëm, për pastrimin e parave dhe për mënyrën se si këto fenomene shtrembërojnë konkurrencën.

Raporti i DASH-it nuk është i vetëm. Edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë jep të njëjtin alarm. Indeksi i saj më i fundit për klimën e biznesit ra në vetëm 40.34 pikë nga 100, me një përkeqësim prej më shumë se gjashtë pikësh brenda një viti. Shifrat e veçanta janë edhe më shqetësuese: monopolet dhe konkurrenca e pandershme vlerësohen me vetëm 26.11 pikë nga 100, burokracia qeveritare me 26.39 pikë, informaliteti me 28.19 pikë, korrupsioni me më pak se 29 pikë, niveli i përgjithshëm i taksave me vetëm 32.82 pikë dhe zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve me 35.34 pikë. Vetë perceptimi për klimën e biznesit ra në vetëm 37.02 pikë, duke humbur afro dhjetë pikë brenda një viti. Këto nuk janë numra abstraktë. Janë përgjigjet e kompanive që operojnë në Shqipëri, të kompanive që paguajnë paga dhe taksa, që përpiqen të investojnë dhe që përballen çdo ditë me administratën, gjykatat, kontrollet, rregullatorët dhe konkurrencën e pandershme.

Kur biznesi amerikan e vlerëson monopolizimin me 26 pikë nga 100, kjo do të thotë se tregu nuk po funksionon. Kur korrupsioni vlerësohet me më pak se 29 pikë, do të thotë se ligji nuk po garanton barazi. Kur politika tatimore vlerësohet me vetëm 32 pikë, do të thotë se barra nuk perceptohet si e drejtë dhe e parashikueshme. Kur klima e biznesit bie në 37 pikë, do të thotë se propaganda për sukses ekonomik nuk përputhet me realitetin që përjeton sipërmarrja. Nga njëra anë kemi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga ana tjetër kemi bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Të dyja palët përshkruajnë të njëjtën sëmundje: një ekonomi gjithnjë e më pak të parashikueshme, gjithnjë e më të përqendruar dhe gjithnjë e më të padrejtë. Raportet përshkruajnë një mjedis ku lidhjet politike, trajtimi selektiv, procedurat jotransparente dhe vendimet administrative ndikojnë drejtpërdrejt mbi konkurrencën.

Në Shqipëri nuk fiton gjithmonë ideja më e mirë, oferta më e mirë apo sipërmarrësi që punon më shumë, investon më shumë dhe punëson më shumë njerëz. Shumë shpesh fiton lidhja më e fortë me pushtetin. Këtë nuk e kanë dëshmuar vetëm raportet; këtë e kanë treguar edhe dosjet hetimore të bëra publike. Një mesazh në telefon përcakton se kush duhet të fitojë, një komunikim tregon sa duhet të jetë oferta, ushtrohet presion ndaj atij që kërkon të ankohet dhe një vendim që merret jashtë institucionit më pas thjesht firmoset brenda tij. Kështu, një shtet që menaxhohet përmes telefonave përdor miliarda euro nga taksat e shqiptarëve, por njëkohësisht kthehet në pengesën kryesore për zhvillimin e biznesit të ndershëm.

Ky është paradoksi i Shqipërisë së sotme. Shteti është jashtëzakonisht i shpejtë kur duhet të miratojë një koncesion, të japë një status investitori strategjik, të miratojë një leje ndërtimi për një të privilegjuar apo të krijojë një përjashtim ligjor. Por bëhet i ngadaltë kur qytetari kërkon të regjistrojë pronën, i pafuqishëm kur sipërmarrësi kërkon zbatimin e kontratës, i shurdhër kur biznesi i zakonshëm kërkon konkurrencë të ndershme dhe i padukshëm kur familja kërkon drejtësi. Prandaj ky nuk është thjesht një shtet i dobët; është një shtet selektiv, një shtet që funksionon shumë mirë për pakicën dhe shumë keq për shumicën.

Korrupsioni nuk është më vetëm një zarf nën tavolinë. Korrupsioni është mënyra si shpërndahen kontratat, si jepen lejet, si kalojnë pronat publike në përdorim privat, si përzgjidhen të ashtuquajturit investitorë strategjikë dhe si ndahen mundësitë ekonomike. Këtu bie fasada e një qeverie që pretendon se ndihmon biznesin dhe tërheq investimet e huaja. Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në vlerë nominale dhe stoku i përgjithshëm i tyre arriti rreth 17 miliardë dollarë në vitin 2025. Por sasia e kapitalit nuk është e njëjtë me cilësinë e zhvillimit. Rreth 34% e prurjeve të reja të investimeve në vitin 2025 shkuan në pasuri të paluajtshme. Pra, një e treta e kapitalit të ri shkoi në prona dhe jo në teknologji, prodhim, inovacion apo industri që krijojnë vende pune me paga të larta.

Ndërkohë, stoku i investimeve amerikane vlerësohet në rreth 490 milionë dollarë, vetëm rreth 3% e stokut të përgjithshëm të investimeve të huaja në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë kryesor strategjik, por kapitali amerikan vazhdon të ketë një peshë modeste në ekonominë shqiptare. Pse? Sepse kapitali serioz nuk kërkon vetëm tokë dhe leje; kërkon gjykata që funksionojnë, kontrata që zbatohen, konkurrencë, transparencë dhe rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të investitorit. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk matet vetëm me fotografi diplomatike dhe deklarata miqësie; matet edhe me sigurinë që Shqipëria u ofron investitorëve amerikanë.

Ligji për investimet strategjike u prezantua si instrumenti që do të sillte kapital të ri, teknologji, vende pune dhe investitorë seriozë ndërkombëtarë. Por çfarë prodhoi në praktikë? Një mekanizëm që, në shumicën dërrmuese të rasteve, ka favorizuar projekte vendase, kryesisht në turizëm, dhe përfitues të pronës e të mbështetjes shtetërore. Ligjet që duhet të sillnin investime janë përdorur për të përzgjedhur investitorët. Rreziku u mbetet qytetarëve, ndërsa përfitimi përqendrohet te të privilegjuarit. Kjo nuk është ekonomi tregu; është ekonomi favori. Nuk është konkurrencë; është përzgjedhje politike e fituesve.

Pasiguria e pronës dhe moszbatimi i kontratave mund të duken si koncepte teknike, por pas tyre qëndron drama e mijëra njerëzve. Qëndron familja që prej vitesh nuk regjistron dot pronën, fermeri që nuk ka siguri mbi tokën, pronari i vogël që përballet me një institucion shumë më të fuqishëm se ai, emigranti që ka investuar kursimet e një jete dhe nuk gjen drejtësi, si dhe sipërmarrësi që ka një kontratë, por nuk ka një gjykatë që ta zbatojë në kohë. Kur prona nuk është e sigurt dhe kontrata nuk zbatohet, qytetari nuk ka një të drejtë të garantuar; ka vetëm shpresën se institucioni do të vendosë ta trajtojë drejt.

Në këtë sistem, shqiptarët nuk largohen vetëm për një pagë më të lartë. Largohen nga padrejtësia, nga mungesa e mundësive, nga një ekonomi ku tregu është ndarë mes pak aktorëve dhe nga një vend ku puna dhe aftësia vlejnë më pak se lidhja me pushtetin. Largohen nga arroganca e një qeverie që punon për pakicën, ndërsa mbitakson shumicën. Prandaj emigrimi nuk është vetëm një statistikë demografike; është vota më e rëndë kundër këtij modeli ekonomik. Rreth 70% e anëtarëve të Dhomës Amerikane thonë se e kanë të vështirë ose shumë të vështirë të gjejnë punonjës të kualifikuar. Qeveria e paraqet këtë vetëm si mungesë punonjësish, por pyetja është: pse janë larguar punonjësit dhe të rinjtë? Pse një profesionist i përgatitur beson më shumë te një fillim nga zero jashtë vendit sesa te mundësia për të ecur përpara në Shqipëri? Sepse njerëzit nuk largohen vetëm nga paga e ulët; largohen nga një sistem ku nuk shohin meritë, siguri dhe perspektivë.

Raportet e DASH-it dhe vlerësimet e institucioneve të biznesit janë radiografia e kësaj qeverisjeje. Radiografia tregon se ekonomia po përqendrohet gjithnjë e më shumë, se monopolet dhe oligopolet po varrosin konkurrencën, se biznesi i vogël paguan më shumë dhe merr më pak dhe se familjet punojnë më shumë, por përballojnë më pak, ndërsa një grup i kufizuar përfiton nga kontratat, lejet, pronat dhe paratë publike. Ky nuk është një shtet i falimentuar, sepse shteti mbledh taksa, merr vendime, shpërndan kontrata dhe jep prona e leje. Problemi është se për kë i bën të gjitha këto. Ky është një shtet me tipare të forta të kapjes: një shtet i dobët për qytetarin, por shumë i fuqishëm për të privilegjuarin; një shtet që kërkon çdo dokument nga biznesi i vogël, por mbyll sytë përballë miliona eurove; një shtet që ndëshkon të pambrojturin dhe negocion me të fuqishmin.

Kur përgjegjësia afrohet te nivelet më të larta të pushtetit, kjo mazhorancë nuk kërkon të kuptojë gabimet, por kërkon të ndryshojë rregullat. Ndërhyn te kodet dhe procedurat, sulmon institucionet, zhvendos debatin dhe përpiqet të bindë shqiptarët se problemi nuk është korrupsioni, por ai që e heton; se problemi nuk është abuzimi, por ai që e denoncon. Transaksioni është bërë filozofia e kësaj qeverisjeje: “Më jep mbështetjen, të jap pushtetin. Më jep heshtjen, të jap kontratën. Më jep besnikërinë, të jap pronën.” Kur transaksioni nuk funksionon, vjen presioni, shantazhi politik dhe sulmi publik.

Por Shqipëria ka nevojë për diçka tjetër. Ka nevojë për një ekonomi ku shteti nuk zgjedh fituesit, por garanton rregullat; ku tenderi fitohet nga oferta më e mirë dhe jo nga telefoni më i fortë; ku investitori strategjik është ai që sjell kapital, teknologji dhe vende pune dhe jo ai që merr pronën publike; ku kapitali amerikan dhe ai europian vijnë sepse gjejnë siguri dhe jo sepse duhet të gjejnë një ndërmjetës politik; ku prona është e sigurt, kontrata zbatohet, sipërmarrësi nuk ka nevojë për mik për të hapur një biznes dhe për të konkurruar dhe ku një i ri mund të ecë përpara përmes dijes dhe punës, jo përmes teserës dhe lidhjes.

Kjo është beteja jonë: jo thjesht kundër një qeverie, por kundër një sistemi që e ka kthyer shtetin në pronë të pakicës. Ne nuk duam të ndryshojmë emrat e përfituesve; duam të ndryshojmë sistemin që prodhon përfitues të privilegjuar. Nuk duam një ekonomi që rrit vetëm kullat dhe pasuritë e një grushti njerëzish. Duam një ekonomi që ul koston e jetesës, rrit pagat, ndihmon familjet, çliron konkurrencën, mbështet biznesin e vogël dhe tërheq investime amerikane dhe europiane në teknologji, prodhim dhe punësim.

Shqipëria nuk është një vend i varfër; është një vend i varfëruar nga keqqeverisja. Nuk është një vend pa mundësi; është një vend ku mundësitë janë marrë peng. Nuk është një vend pa njerëz të zotë; është një vend që i largon njerëzit e zotë, sepse nuk u garanton konkurrencë të drejtë. Prandaj alternativa jonë është e qartë: nga ekonomia e favoreve tek ekonomia e rregullave, nga monopolet tek konkurrenca, nga kontratat e fshehta tek transparenca, nga investimet në beton tek investimet që krijojnë dije, prodhim dhe paga të larta, nga shteti i të lidhurve tek shteti i qytetarëve dhe nga pushteti që zgjedh fituesit tek ligji që u jep të gjithëve një mundësi.

Kapitali mund të hyjë edhe në një vend të padrejtë, por besimi ndërtohet vetëm në një vend të lirë. Shqipëria që ne duam nuk është Shqipëria e një pakice që ka gjithçka dhe e një shumice që paguan gjithçka. Nuk është Shqipëria e një pakice që përfiton dhe e një shumice që largohet. Është Shqipëria ku shteti punon njësoj për të gjithë. Ajo Shqipëri është e mundur, por për ta ndërtuar duhet më parë të çlirojmë ekonominë, institucionet dhe të ardhmen tonë nga sistemi që i ka marrë peng.

 


Shtuar më 3.10.2026 10:40

sultanbeyli escortjojobettipobetMarsbahisCasino welcome bonusjojobetmarsbahismarsbahisjojobet girişcasinoroyalmadridbet girişmadridbetholiganbet girişholiganbetholiganbet girişholiganbetMadridbet girişbahsegelMadridbetMarsbahisjojobet girişbahsegelstarzbetholiganbetjojobetjojobet girişhuhubetbetciobetcio girişbetcio günceljojobet girişjojobetjojobetjojobet girişzbahissekabet