Fani Karanfilova Panovska, nënkryetare e LSDM-së, deklaroi se në vend të përmirësimit të pozitës negociuese të premtuar, Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë më të pafavorshme dhe me orientimin drejt bisedimeve dypalëshe me Bullgarinë. Sipas saj, vonesat dhe pengimi i procesit evropian po e shtyjnë gjithnjë e më larg anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
“Sa më gjatë ta vonojmë procesin, aq më e dobët do të jetë pozita e Maqedonisë. Kjo tashmë ndodhi. Ursula von der Leyen e dërgoi Mickoskin në negociata dypalëshe me Bullgarinë”, u shpreh Karanfilova Panovska.
Ajo tha se shmangia e kornizës negociuese, e miratuar nga 27 vendet anëtare të BE-së, po e shndërron procesin e integrimit në një çështje dypalëshe.
Karanfilova Panovska rikujtoi premtimet e bëra para ardhjes në pushtet, përfshirë rikthimin e emrit, ndërprerjen e Marrëveshjes së Prespës dhe sigurimin e kushteve më të mira negociuese.
“Na cilësuan si tradhtarë. Thanë se do ta rikthenin emrin, premtuan se do ta ndërprisnin Marrëveshjen e Prespës dhe se do të siguronin pozicione më të mira negociuese. Por çfarë ndodhi? Ata erdhën në pushtet dhe, gradualisht por me siguri, Marrëveshja e Prespës u shndërrua në një kryevepër të diplomacisë për ta. Për Mucunskin, anëtarësimi në NATO është një gjë e madhe për sektorin e biznesit. Edhe Presidentja Siljanovska konfirmon se Marrëveshja e Prespës garanton si identitetin tonë maqedonas, ashtu edhe gjuhën maqedonase”, deklaroi ajo.
Nga LSDM-ja thonë se, në kohën kur shtetet e tjera kandidate po avancojnë në negociatat e anëtarësimit dhe po hapin grupkapitujt, Maqedonia po rrezikon të mbetet pa një udhërrëfyes për vazhdimin e rrugës së saj drejt Evropës.
Sipas Panovskas, vazhdimi i bllokimit do të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit, duke nxitur largimin e të rinjve dhe bizneseve, si dhe duke thelluar varfërimin e qytetarëve.
