Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu për përplasjen mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Në një postim në rrjetet sociale Meta shprehet se konflikti ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e dhjetëra seancave gjyqësore, teksa thekson që kjo situatë e paralajmëruar që në korrik duhet të ishte parandaluar.
Sipas tij ky konflikt i stisur i shërben vetëm lojërave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.
Meta shprehet se përveç humbjeve financiare për shtetin dhe palët, zvarritja e proceseve prek të drejtën për një gjykim të drejtë.
Meta thekson se avokatët janë vendor nën presion si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Postim i plotë i Ilir Metës
Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë.
Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.
Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt.
Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cënon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.
Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm.
Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat.
Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojërave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.
(A2 Televizion)