Tarifa ditore për ushqimin e fëmijëve në kopshtet publike në Lezhë do të rritet me 50 lekë, pas miratimit të vendimit nga Këshilli Bashkiak. Tarifa do të kalojë nga 170 në 220 lekë të rinj në ditë dhe pritet të nisë të aplikohet nga muaji i ardhshëm.
Ndryshimi prek rreth 540 familje. Vendimi është miratuar me shumicë votash në Këshillin Bashkiak, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë votuar kundër rritjes së tarifës.
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Alfrida Marku, e ka kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar rritjen të nxituar dhe të panevojshme. Sipas saj, tarifa e re përbën një barrë shtesë për ekonominë e familjeve që kanë fëmijët në kopshtet publike.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka argumentuar se rritja lidhet me indeksimin e kostove dhe rritjen e çmimeve. Sipas tij, tarifa paguhet vetëm për ushqimin që konsumojnë fëmijët gjatë qëndrimit në kopshtet publike.
Bashkia Lezhë kishte zhvilluar më herët edhe një proces dëgjese publike për ndryshimin e tarifës për shërbimin e akomodimit dhe ofrimin e ushqimit për fëmijët në kopshtet publike.


