Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur akuza të forta për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri gjatë fjalës së saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.
Në fjalën e mbajtur, Vokshi tha se demokracia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri ndodhen përballë rreziqeve serioze, duke iu referuar ndër të tjera hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë dhe ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.
Vokshi deklaroi se pikërisht në një kohë kur hetimet kanë prekur figura të larta të qeverisë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni dhe zyrtarë të tjerë, qeveria ka paraqitur ndryshime të gjera në legjislacionin procedural penal.
“Pikërisht në momentin kur hetimet arrijnë në rrethin e ngushtë të Kryeministrit me çështje që përfshijnë ish-Zëvendëskryeministren Balluku, AKSHI-n, ish-kreun e shërbimit të inteligjencës Hyseni dhe zyrtarë të tjerë të lartë Kryeministri paraqet ndryshime shqetësuese në Kodin e Procedurës Penale”, tha ajo.
Vokshi iu referua fillimisht ndryshimeve të propozuara në nenin 242, të cilat i ka cilësuar si përpjekje për krijimin e një “superimuniteti” për kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në mars, deputetja e PD kishte paraqitur edhe një pyetje me shkrim në PACE lidhur me këto ndryshime, duke argumentuar se ato mund të kufizonin kontrollin gjyqësor ndaj zyrtarëve të lartë.
Duke folur për paketën e re, e cila sipas qeverisë përmban ndryshime të gjera për masat e sigurimit, të drejtat e mbrojtjes, kontrollin gjyqësor, privatësinë dhe të drejtat e viktimave, Vokshi tha se ajo rrezikon të cenojë reformën në drejtësi. Qeveria e ka paraqitur paketën si një ndërhyrje për forcimin e garancive procedurale dhe të të drejtave të qytetarëve. Vokshi kundërshtoi edhe ndryshimet që lidhen me masat e sigurimit dhe administrimin e provave, duke pretenduar se drafti krijon filtra të rinj për hetimet dhe mund të ndikojë në rastet e korrupsionit dhe krimeve zgjedhore.
Deputetja e PD-së ngriti shqetësime edhe për lirinë e medias, duke pretenduar se ndryshimet mund të kufizojnë mundësinë e gazetarëve për të raportuar mbi hetimet. Në fund të fjalës së saj, deputetja demokrate i bëri thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që të kërkojë një opinion nga Komisioni i Venecias për paketën e ndryshimeve, përpara miratimit të saj.













