
Ish-deputeti Nard Ndoka ishte i pranishëm në tryezën e organizuar nga Sali Berisha me aleatët opozitarë sa i takon Reformës Territoriale që pritet të votohet nga socialistët në Kuvend.
Duke folur hapur, ai tha se vendi është në këtë situatë edhe për faktin se Berisha kishte bërë herë pas here bashkëpunim të nëndheshëm me Ramën. Por më tej Ndoka shtoi se edhe ai do të bënte të njëjtën gjë për përfitimet e forcës së tij politike, duke anashkaluar këtu faktin se partia duhet të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve.
“Vendimmarrja jote duhet të jetë shumë e rëndësishme se e ka bërë reformën ai, është e katërta herë që e bën në mënyrë të njëanshme. Ndonjëherë edhe ndonjë bashkëpunim të nëndheshëm, se janë çështje interesash politike të pranueshme. Edhe unë po të isha kryetar i një partie të madhe do të shihja interesin e partisë time politike. Por ne ia kemi përsosur sistemin Edi Ramës, për fatin e keq ia kemi dhuruar dhe ai po e përsos herë pas here me gabimet tona”- tha Ndoka.
Sa i takon Territoriales, ish-deputeti u shpreh se duhet të bëhet diçka që Rama të mos ia arrijë qëllimit dhe jo thjesht të vijohet me zgjedhjet vendore sipas dëshirës së PS për ndarjen e re administrative.
“Ai me këtë dhuratë që ka marrë prej nesh si dhuratë po vijon të bëhet shumë i rrezikshëm. Unë e shoh të vështirë që ky person të largohet nëpërmjet votës. Strategjia jote duhet të jetë si ta pengojmë këtë person, jo që ti themi ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet dhe do futemi sido që të ndahen bashkitë. Opozita është institucion, kemi përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve. Ne duhet ta bllokojmë, mos ta lëmë të bëjë zgjedhje”- shtoi Ndoka. Versus.al

