Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me përplasjen mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, situatë që ka sjellë shtyrjen dhe moszhvillimin e një numri seancash gjyqësore. Bojkoti i avokatëve lidhet me kundërshtimin e rregullores së re të GJKKO-së.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Meta e ka cilësuar përplasjen “absurde” dhe ka thënë se ajo ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e gjykimeve për dhjetëra çështje në GJKKO.
Sipas ish-presidentit, situata ishte paralajmëruar që në fund të korrikut dhe duhej të ishte parandaluar përmes dialogut, por edhe përmes ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit dhe aktorëve të tjerë.
Meta pretendon se zvarritja e proceseve sjell jo vetëm humbje financiare për shtetin dhe palët e përfshira, por prek edhe të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të rregullt.
Ai shprehet gjithashtu se avokatët po përballen me presion nga të dyja palët, si nga GJKKO e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Sipas tij, kjo situatë prek të drejtat e avokatëve dhe, drejtpërdrejt, të drejtat e qytetarëve të përfshirë në procese penale.
“Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm”, shkruan Meta, duke argumentuar se e drejta e mbrojtjes me avokat është një prej dallimeve themelore mes shtetit të së drejtës dhe diktaturës.
Në përfundim të reagimit, Meta e cilëson përplasjen “të stisur” dhe thotë se, sipas tij, ajo i shërben “lojërave politike” dhe dëmton besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor.
Reagimi i Metës vjen në një kohë kur bojkoti i avokatëve ka sjellë shtyrjen e disa seancave në GJKKO dhe ndaj disa avokatëve janë vendosur edhe gjoba për mungesën në seanca.


