Makinat klasike “pushtojnë” Tiranën, zhvillohet edicioni i tretë i “Tirana Grand Prix”

Klasikja nuk del kurrë nga moda dhe këtë e dëshmoi mbrëmja e të premtes, ku qindra automjete pushtuan sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Gjenerata e re u përqafua me atë të vjetrën, ndërsa eleganca dhe automjetet klasike sollën edhe një herë në vëmendje botën e automobilave, nga vitet 1900 deri në kohët moderne.
Aktiviteti u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
“Ndodhemi në sheshin Nënë Tereza për vitin e tretë radhazi të edicionit të Tirana Grand Prix. Kjo është një garë e organizuar për të tretin vit radhazi nga DPSHTRR. Është një garë rregullsie, ku do të marrin pjesë 42 automjete historike, me pilotë shqiptarë, nga rajoni dhe nga e gjithë Europa, kryesisht Italia”, tha Kreshnik Bajraktari, drejtor i DPSHTRR-së.
Edicioni i tretë vjen me një program treditësh, ku gara, ekspozitat, aktivitetet për publikun dhe programi artistik do të ndërthuren në zemër të Tiranës.
Përtej garës, “Tirana Grand Prix” synon të ofrojë një eksperiencë të hapur për publikun, me automjete të veçanta, ekspozita, aktivitete dhe program artistik, duke krijuar mundësinë për të parë nga afër një pjesë të historisë së automobilizmit.
/vizionplus.tv




