“Rrugorja” e Durrësit me dronë, radarë e makina inteligjente, 20 të arrestuar dhe mbi 5 mijë gjoba

Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente për parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë një jave monitorimi, 20 drejtues mjetesh janë arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në të njëjtën periudhë janë vendosur 5422 masa administrative, ku numrin më të madh e përbëjnë shkeljet për tejkalim të shpejtësisë, me 3513 masa, ndërsa 1458 drejtues janë ndëshkuar për ndalim ose qëndrim të gabuar.
NJOFTIMI:
Si rezultat i monitorimit, gjatë një jave janë arrestuar 20 drejtues mjeti, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 5422 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:
– 83 masa për parakalime të gabuara;
– 3513 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
– 1458 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
– 82 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 88 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
– 198 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore.


