Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me projektin për ndërtimin e një kulle në zonën e Tajvanit në Tiranë, duke deklaruar se është kategorikisht kundër saj.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se gjatë qeverisjes së tij, në periudhën 2005–2013, nuk është dhënë leje për ndërtimin e kullave.
Berisha bëri të ditur se PD po mbledh firma për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit të kullës, ndërsa tha se do të mbështesë protestat kundër projektit. Ai e lidhi kundërshtimin e tij me ruajtjen e hapësirës së gjelbër në zonën e Tajvanit dhe përsëriti qëndrimin e tij kundër ndërtimeve shumëkatëshe.
Pyetje-përgjigje:
Afërdita Findo: Doktor, cili është mendimi juaj për kullën që do të ngrihet tek Tajvani? Nuk ju kam dëgjuar që të reagoni.
Sali Berisha: Afërdita, të falënderoj për pyetjen.
Së pari, dua t'u garantoj se unë kam qenë, jam dhe do të jem kundër çdo kulle. Por në rast se rikthehesh në periudhën 2005-2013, ju do gjeni se Sali Berisha nuk ka dhënë leje për asnjë kullë dhe ju do gjeni se në ato tetë vite në Tiranë dhe në Shqipëri, nuk është ndërtuar asnjë kullë e vetme.
Pra, një njeri që nuk lejoi, nuk miratoi ndërtimin e asnjë kulle, do të thotë se ka një qëndrim të qartë kundra tyre.
Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij.
Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj.
Por edhe një herë, për ne kullat janë monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit.
Ndaj Afërdita, dije edhe një herë se unë jam kundër tyre dhe kam qenë kundër tyre dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi.
Dhe në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nuk ka pasur asnjë ndërtesë mbi tetëkatëshe, në asnjë zonë.
© SYRI.net