Erling Haaland ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj kompanisë ajrore Norwegian Air Shuttle, duke pretenduar se ajo ka përdorur elemente të identitetit të tij në mënyrë të paautorizuar për qëllime promocionale.
Çështja lidhet me një postim të publikuar gjatë Kampionatit Botëror të futbollit, ku Norwegian kishte publikuar një fotomontazh të një prej avionëve të saj me flokët bionde dhe bishtin karakteristik që Haaland mbante më parë. Postimi shoqërohej me frazën:
Nuk jemi dukur kurrë më norvegjezë.
Sipas avokatit të futbollistit, Thomas Hagen, bëhet fjalë për përdorim të paautorizuar të elementeve dalluese të Haaland në kuadër të marketingut të biletave të fluturimit gjatë Botërorit.
Norwegian e ka fshirë postimin dhe ka konfirmuar se ka marrë padinë. Kompania ka deklaruar se nuk e kupton arsyen e procesit gjyqësor, duke argumentuar se publikimet ishin pjesë e postimeve spontane në mbështetje të kombëtares norvegjeze.
Kjo është për të ardhur keq, por shpresojmë për një dialog të arsyeshëm, në mënyrë që edhe në të ardhmen të mund të mbështesim heronjtë tanë të sportit
-ka deklaruar zëdhënësja e kompanisë, Catharina Solli.
Detajet e kërkesës së Haaland, përfshirë nëse ai po kërkon dëmshpërblim financiar dhe shumën përkatëse, nuk janë bërë publike.
Një seancë paraprake në Gjykatën e Qarkut të Oslos është planifikuar për 9 tetor, ku palët pritet të diskutojnë çështjen.