Maria Avila, ish-pastruesja e Chris Brown, ka pranuar një dëmshpërblim prej 9.5 milionë dollarësh pas sulmit nga një prej qenve të këngëtarit në shtëpinë e tij në Tarzana, Kaliforni, në vitin 2020.
Fillimisht, një juri i kishte akorduar Avilës 12.9 milionë dollarë në dëmshpërblim. Megjithatë, gjyqtari Huey P. Cotton e konsideroi shumën të tepruar dhe vendosi që ajo të pranonte një shumë më të ulët ose çështja të rikthehej për një gjykim të ri mbi dëmet.
Avila zgjodhi shumën e reduktuar, duke shmangur kështu një tjetër proces gjyqësor. Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, shuma përfshin 3.85 milionë dollarë për dëmet jopasurore të së kaluarës, 5.4 milionë për dëmet e ardhshme dhe 250 mijë dollarë për shpenzime mjekësore.
Sulmi ndodhi më 12 dhjetor 2020, kur Avila po punonte në shtëpinë e Brown. Ajo dëshmoi se qeni, një qen bari kaukazian me peshë rreth 90 kilogramë, e sulmoi duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë dhe krah, si dhe shenja të përhershme.
Gjyqtari pranoi se kishte prova për dhimbje të vazhdueshme dhe pasoja emocionale, por vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për disa nga dëmet e përhershme nervore që ishin përfshirë në vendimin fillestar.
Ndërkohë, motra e Maria Avilës, Patricia, e cila ishte dëshmitare e incidentit, kishte marrë veçmas 885 mijë dollarë dhe ky dëmshpërblim mbeti në fuqi.
Me pranimin e shumës prej 9.5 milionë dollarësh, çështja për dëmet ndaj Maria Avilës nuk do të rikthehet në një gjykim të ri.