E dërgon për here të tretë në tribunë, Trajneri Maran befason me vendimet para Finlandës

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka vendosur të bëjë disa ndryshime në listën e lojtarëve për sfidën ndaj Finlandës, e vlefshme për raundin e tretë të Ligës së Kombeve.
Tre futbollistë nuk do të jenë në dispozicion për këtë takim. Samuele Sina, Klevi Qefalija dhe Sabah Kerjota janë lënë në tribunë, ndërsa në vend të tyre janë përfshirë Naser Aliji, Feta Fetai dhe Klisman Cake.
Vendimi që bie më shumë në sy është ai për Samuele Sinën, i cili kalon nga titullar në tribunë, pavarësisht paraqitjes së tij pozitive në ndeshjen e fundit ndaj San Marinos. 19-vjeçari, i cili aktivizohet në Serinë C italiane, e nisi nga minuta e parë sfidën debutuese me fanellën kuqezi dhe luajti gjatë gjithë takimit, në të cilin Shqipëria triumfoi.
Madje, Sina u vlerësua si një nga protagonistët kryesorë të fitores, duke marrë notën 8 nga platforma e statistikave “Sofascore”, vlerësimi më i lartë i regjistruar në atë përballje. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për ta mbajtur në listën e lojtarëve të gatshëm për sfidën e radhës.
Përballja me Finlandën merr një rëndësi të veçantë për kuqezinjtë, të cilët synojnë të ruajnë pozitat në krye të grupit C dhe të hedhin një tjetër hap drejt objektivave në Ligën e Kombeve. Shqipëria ka aktualisht dy pikë më shumë se finlandezët, ndaj një rezultat pozitiv do të ishte i rëndësishëm në garën për kreun e grupit.




