Sipas Sali Berishës, rritja e sektorit të ndërtimit në Shqipëri nuk lidhet me një zhvillim të shëndetshëm ekonomik, por me atë që ai e cilëson si pastrim të parave të drogës.
Duke komentuar deklaratat e drejtorit të Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, në Komisionin e Ligjeve, Berisha tha se ndërtimi është kthyer në një sektor ku, sipas tij, pastrohen shuma të mëdha parash.
Kreu i PD-së ngriti akuza edhe për pasojat që, sipas tij, kjo situatë ka sjellë në ekonomi, duke përmendur zhvlerësimin e euros dhe dollarit, rënien e prodhimit industrial dhe krizën në bujqësi. Berisha tha se dobësimi i ekonomisë ka sjellë falimentime, humbje vendesh pune dhe largim të shqiptarëve nga vendi.
Pyetje-përgjigje:
Petrit Hamiti: Z. Berisha, drejtori i Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve tha se ka pastrim masiv parash në ndërtim, se ky është i vetmi sektor i zhvilluar. Pra, konfirmoi akuzat tuaja. A duhet të thirret në SPAK Ervin Koçi, se kjo deklaratë vjen në ditët kur Edi Rama prezanton kulla të reja në Shqipëri?
Sali Berisha: Drejtori ka thënë një të vërtetë e cila ndodh në Shqipëri prej disa vitesh.
E vërteta është se sot treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë sesa në Bashkimin Evropian. Dhe kjo vetëm e vetëm se në ndërtim, kartelet më të fuqishme të drogës në Europë lajnë tonelatat e narko-eurove dhe narko-dollarëve të tyre.
Kjo ka pasur një çmim të tmerrshëm për shqiptarët. Me qindra dhe mijëra ndërmarrje eksporti, që shisnin dhe me euro apo me dollarë, kanë falimentuar për shkak të zhvlerësimit dramatik prej 32 dhe 35% respektivisht të euros dhe dollarit.
Prodhimi industrial ka rënë sipas Eurostat me 15.3%. Prodhimi bujqësor është në kolaps të plotë.
Qindra mijëra vende pune u shkatërruan dhe shqiptarët u detyruan të largohen nga vendi. Pra, është paraja e drogës ajo që po rrënon ekonominë e vendit.
© SYRI.net
Berisha: Qytetarët digjitalë më kanë dërguar fotografinë e Vlora Hysenit duke hyrë në vilën e Ergys Agasit
Berisha: Në Strasburg ua shpjegova shumë qartë që SPAK nuk vepron ndaj Edi Ramës, sepse ai e ka në kontroll atë
Berisha: Sot një fëmijë kushton 66% të rrogës, nuk do kushtojë asnjë qindarkë me politikën e ripopullimit